Ministri i Mbrojtjes i Shqipërisë, Pirro Vengu, ka dhënë më tepër detaje rreth marrëveshjes së nënshkruar të martën në sektorin e mbrojtjes mes Shqipërisë, Kosovës dhe Kroacisë.
Vengu tha se ka pasur përpjekje në zonën kufitare të Kosovës për të krijuar situata destabilizimi dhe situata që kërcënojnë rendin dhe sigurinë.
“Vlerësimi ynë dhe i të gjitha strukturave aleatë në fakt është se në zonën kufitare janë bërë disa përpjekje për të krijuar situata destabilizmi dhe situata që kërcënojnë rendin dhe sigurinë. Ne duhet të jemi shumë të vëmendshëm dhe vigjilentë që t’i parandalojmë këto situata. Ndaj ne kemi kërkuar në mënyrë të përsëritur që NATO të kërkojë një vigjilencë më të madhe dhe KFOR të ketë instrumente më të mëdha operacionale dhe mjetesh në dispozicion në terren. Kërcënimet mund të jenë edhe të natyrës hibride, krime kibernetike, sabotazhe, elementë të kësaj natyre që mund të krijojnë destabilizim. Gjithashtu kemi kërkuar që qeveria e Kosovës të rakordojë të gjitha veprimet e saj me KFOR-in”, tha Vengu, për EuronewsAlbania.
Ai tha se është një marrëveshje e hapur dhe nuk është një marrëveshje ekskluzive.
“Patjetër që është një marrëveshje ku rëndesa jepet nga përfshirja e këtyre tre shteteve të para. Ne kemi pasur interes edhe nga kolegët bullgarë për tu përfshirë, sepse edhe ata kanë të njëjtin lexim të kërcënimeve në rajon, kanë të njëjtin dedikim për sa i përket destabilitetit. E njohin Kosovën dhe rëndësinë që ka integriteti i saj, sikundër kemi dhe një bashkërendim kur vjen puna te mënyra se si e konsiderojmë rëndësinë e korridorit 8. Nëse Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut do kenë dëshirën për t’ju bashkëngjitur parimeve të kësaj marrëveshje, pa dyshim jemi krejt të hapur”, tha ai.
ndërkohë, ministri i Mbrojtjes i Kroacisë, Ivan Anushiq, i është përgjigjur reagimit të Ministrisë së Jashtme të Serbisë, e cila njoftoi se Serbia “nuk do ta pranojë në heshtje” nënshkrimin e deklaratës që forcon bashkëpunimin trepalësh në fushën e mbrojtjes ndërmjet Kroacisë, Kosovës dhe Shqipërisë.
Ai ka thënë se koha kur shteti fqinj Serbia ka vendosur se çfarë do të bëjë Kroacia. /Telegrafi/