Site icon Telegrafi

Aleanca e Biznesit: Zgjedhjet e parakohshme do të shkaktojnë mbi 50 milionë humbje në ekonomi

“Aleanca Kosovare e Bizneseve, ka analizuar këto ditë çështjet ekonomike politike dhe diplomatike dhe zgjedhjet a do të kenë efekt pozitivë apo negativë. AKB-ja vlerëson se Kosova kishte nevojë për zgjedhje të reja, sepse Qeveria dhe Parlamenti pothuajse i kanë lënë shumë vendime të rëndësishme pa u përfunduar”, ka thënë kryetari Agim Shahini, në konferencën me temën zgjedhjet e Kosovës 2019 dhe efekti i tyre në ekonominë e vendit, thuhet në një njoftim të AKB-së.

Po sipas njoftimit Shahini ka thënë se pafuqia politike bëri që shumë vendime me peshë të mos kryhen.

Siç është vlerësuar tutje, plani i brendshëm për të shkuar në zgjedhje prishi disa plane ndërkombëtare, prandaj parametrat ekonomik për vitin 2019 ishin negativ. Punësimet ishin më pak se një vit paraprak, nëse krahasojmë një statistikë të vitit 2014 ku ishin të punësuar mbi 323 mijë punëdhënës derisa në vitin 2018 ishin 340 mijë punëdhënës. Gjatë kësaj periudhe ishin punësuar vetëm 22 mijë veta.

Kryetari i AKB-së shtoi se investimet e huaja më 2017 ishin 255 milionë euro kurse më 2018 ishin 213 milionë ose 42 milionë më pak (20 për qind). Trendi i eksportit ishte në rënie dhe kjo ishte shqetësuese, derisa importi ishte në rritje. Borxhi publik i brendshëm shkoi deri në 600 milionë euro derisa ai i gjithëmbarshëm shkoi deri në 1.2 miliard euro.

“Pasiguria për investitorët dhe mungesa e rendit e ligjit, shkaktuan mbyllje të kompanive të huaja që ishin më shumë se 60 kompani dhe kjo është një trend negativ si në vend ashtu edhe në arenën ndërkombëtare”, citohet të ketë thënë Shahini.

Ai shtoi se liberalizimi i vizave nuk ndodhi dhe u vështirësua marrja e vizave, Kosova nuk arriti të anëtarësohet në organizatat ndërkombëtare si UNESCO, OBT e ILO e INTERPOL e tjera.

“Kosova vitet e fundit u ballafaqua me fenomenin e ri për tërheqjen e njohjeve dhe e cila e dëmtoi seriozisht vendin tonë. Kosova po ballafaqohet me ikjen e të rinjve e trurit të saj. Shumë qytetarë të arsimuar po e lëshojnë vendin për të gjetur një vend më të mirë”, vlerëson AKB.

“Këto zgjedhje nuk kanë efekt të madh pozitiv, derisa tha se humbjet në këto zgjedhje do të jenë mbi 50 milionë euro. Presim që do të bëhet me mirë, por efekt nuk kanë të madh pozitiv, sepse angazhimi i të gjitha strukturave politike po bënë që shumë probleme të investimeve e të biznesit dhe rritjes se imazhit të vendit të mbesin në një vend pa lëviz”, tha Shahini.

Kryetari i AKB-së shtoi se Kosova po ballafaqohet edhe me lobimin e fuqishëm të Serbisë për çnjohjen e Kosovës, derisa sipas tij, Kosova rri në gjumë.

“Administrata po punon e përgjysmuar për shkak të zgjedhjeve, ku kuvendi dhe deputetët nuk aprovuan më shumë se 50 ligje që kanë të bëjnë me zhvillimin ekonomike në vend”.

Humbjet në ekonomi nga këto zgjedhje do të jenë mbi 50 milionë euro, tha ai.

Sipas tij, në vendin tonë do të garojnë mbi 600 kandidatë për deputetë, këta do të investojnë mbi 7 milionë euro.

“KQZ-ja ka ndër 6 milionë euro për zgjedhje. Duke përfshirë marketing, salla, organizime, dreka e darka shpenzojnë rreth 13 milionë euro”, thuhet në njoftim.

Andaj, siç është vlerësuar nga AKB, kjo fushatë do t’i kushtojë vendit më shumë se 26 milionë euro.

“Ne AKB-ja vlerësojmë se qeveria e re që nga themelimi i saj dihet të ketë një plan strategjik zhvillimor të ekonomisë së vendit dhe ta ruaj kapitalin njerëzor i cili është mbi të gjitha dhe ta ruaj ekonominë e vendit, të bëjë reforma”, tha Shahini. /Telegrafi/

Exit mobile version