Një tjetër lajm i mirë vjen nga skitari Albin Tahiri, i cili po e përfaqëson vendin në garat ndërkombëtare të Federatës Ndërkombëtare të Skitarisë (FIS).
Skitari ynë sot plotësoi kriteret e nevojshme për normën olimpike Pekini 2022, edhe në disiplinën e lëshimit.
Ai çoi në katër numrin e kritereve të nevojshme për katër disiplinat e skijimit alpin si: Lëshim, kombinim alpin, sllallom të madh dhe sllallom. I ka mbetur vetëm edhe super sllallomi i madh.
“Po, sot plotësova kriteret edhe në lëshim. Më duhet vetëm edhe një rezultat për super sllallomin e madh për të siguruar kriteret në të gjitha disiplinat. Këtë do ta lë për sezonin e ardhshëm”, tha Tahiri për Komitetin Olimpik të Kosovës.
Paraqitja e sotme në garën e Tarvisios së Italisë, ishte ndër më të mirat në karrierën e tij.
Ai sot pati dy gara në lëshim. Në të parën doli i 16-ti nga 72 garues, ndërsa në të dytën i 11-ti. Madje, në garën e dytë kishte vetëm 1.9 sekonda më shumë se sa vendi i parë, që sipas tij është rezultati më i mirë ndonjëherë për të.
Komiteti Olimpik i Kosovës me presidentin Ismet Krasniqi uron suksesin e radhës të Albin Tahirit dhe sportistëve tjerë, të cilët janë në rrugë të mbarë për të siguruar sa më shumë norma olimpike për Lojërat Olimpike Dimërore Pekini 2022.