Skitari i Kosovës, Albin Tahiri ka folur për suksesin e tij pas dy garave të sotme (e diel) të zhvilluara në Lojërat Olimpike Dimërore “Pekini 2022”, ku nuk munguan sukseset.
Tahiri është renditur i 37-ti nga 87 garues në garën e parë të sllallomit të madh duke përfunduar garën me kohë 1 minutë e 32.41 sekonda.
Përfaqësuesi i Kosovës ka përfunduar në mesin e 30 më të mirëve nga 89 garues në disiplinën e sllallomit të madh në garën e dytë, duke arritur synimin e tij të madh.
Ky sukses e ka bërë të lumtur Tahiri, i cili e ka treguar gjatë një interviste për faqen zyrtare të Komitetit Olimpik të Kosovës (KOK).
“Jam i lumtur që hyra sërish në top 30, sidomos pasi u lëshova i 73-ti në një shteg tejet të vështirë”, ka thënë fillimisht Albin Tahiri për faqen zyrtare të KOK-ut, pas garës në sllallom të madh.
“Po ndihem shumë mirë. Gara ishte shumë e vështirë për shkak të kohës. U mundova shumë të qëndrojë në shteg”.
“Në lëshimin e parë bëra një gabim të madh, por mbërrita në fund, ndërsa në të dytën u ndjeva shumë mirë”.
“Ishte shumë vështirë, por të jem në top 30, jam vërtetë shumë i lumtur për këtë”, përfundoi skitari i Kosovës. /Telegrafi/