Site icon Telegrafi

Albin Kurti, lideri i së ardhmes

Që nga dalja në skenë e Lëvizjes Vetëvendosje!, e cila me kalimin e kohës u shndërrua në një forcë motorike, duke e koncentruar aktivitetin e vet në një filozofi të qëndrueshme politike për vetëdijesimin e masave dhe bashkimin shpirtëror dhe kulturor të shqiptarëve në përgjithësi – ky koncept i mendimit politik që po e përhapë Lëvizja Vetëvendosje! po i tejkalon kufijtë e koncepteve të shablloneve politike, uniformizmit dhe diktateve politike nga qarqet e caktuara politikëbërse të skenës politike kosovare e më gjerë.

Kjo lëvizje ka marrë tashmë përmasa gjithëshqiptare me koncepte dhe mentalitet të një Rilindjeje, e cila po përhapet me një intensitet të shpejtë. Me plot të drejtë, analistë të ndryshëm, aktivistët e Vetëvendosjes! i konsiderojnë njerëz të rinj me ide të reja dhe si të tillë kanë identitet të profilizuar të ndërtimit të Evropës së bashkuar. Ata i shohin shqiptarët të bashkuar dhe të integruar në aspektin ekonomik, kulturor dhe shpirtëror, ashtu siç kanë menduar, vepruar dhe punuar me shekuj.

Kurse lideri i kësaj Lëvizje, Albin Kurti, është njëri nga shqiptarët e dalluar që jeton dhe punon për Shqipërinë e Vërtetë. E them këtë sepse aktivitetet politike, kontaktet me njerëz, me studentë, me grupe të caktuara të shoqërisë shqiptare deri në rangje akademikësh, diplomatësh, strategësh ushtarakë e të shtresave tjera nga të gjitha hapësirat shqiptare, duke filluar nga Shqipëria, Maqedonia, Tuzi e Ulqini, Presheva, Çamëria, diaspora shqiptare e deri te skajet më të thella të Atdheut, i dhanë fuqinë e duhur kësaj lëvizje, për të nxjerrë konkluzione të nevojshme dhe për të hartuar strategjinë më moderne që i përgjigjet kësaj kohe.

Kjo bëri që Albin Kurti dhe Lëvizja Vetëvendosje! të merr përmasat e një lëvizje gjithëkombëtare, fillet e së cilës janë më të hershme por që nuk u kompletua si e tillë për shkak të rrethanave dhe kushteve gjeopolitike dhe strategjike që mbretëronin deri në shkatërrimin e komunizmit, rrënimin e murit të Berlinit, shkatërrimin e paktit të Varshavës dhe shpërbërjes së ish-Jugosllavisë.

Albin Kurti ka një përvojë të gjatë politike dhe të standardizuar në vija të qarta, duke filluar nga lëvizjet studentore. Që nga viti 1997, ishte i inkuadruar në Unionin e Pavarur të Studentëve të Universitetit të Prishtinës (UPSUP), duke qenë edhe anëtar i Këshillit Organizativ të protestave paqësore dhe të pa dhunshme studentore për lirimin e objekteve universitare të uzurpuara me dhunë nga Serbia që udhëhiqej prej regjimit të Milosheviqit. Nga ky organizim dhe suksesi i këtyre protestave, më 1 tetor 1997, iu dha fuqi dhe u masovizua Ushtria Çlirimtare e Kosovës, e cila është njëra nga ushtritë më të lavdishme e më të suksesshme në botë.

Albin Kurti si njëri ndër drejtuesit e këtyre proceseve, do të bëhet pjesë e krahut politik të saj, gjegjësisht i Zyrës së UÇK-së, me qendër në Prishtinë, përkrah simbolit të rezistencës sonë, Adem Demaçit, mirëpo, më 2 mars 1999, kishte dhënë dorëheqje meqë nuk ishte pajtuar me dokumentin e Rambujesë. Në prill të vitit 1999, arrestohet nga forcat serbe dhe në mars të vitit 2000, dënohet me 15 vjet burg në Nish, nën akuzën e rrezikimit të integritetit territorial dhe sovranitetit të Jugosllavisë.

Qëndrimi i tij dinjitoz dhe i paluhatshëm në burgjet e Serbisë e kishte forcuar dhe kalitur personalitetin e tij, duke i dhënë tiparet e një prijësi të mirëfilltë. Qëndrimi i tij në burg dhe aktiviteti i tij pas lirimit nga burgu, bënë që ai të mbetet lideri që përfaqëson popullin dhe elitat e caktuara në politikë, kulturë e rrafshe tjera më së miri.

Largpamës, vizionar, i qartë me koncepte të mirëfillta politike mbetet edhe më tutje i paluhatshëm edhe pse do të arrestohet dhe burgoset edhe disa herë nga “drejtësia” e UNMIK-ut, në Kosovë edhe pas triumfit mbi forcat serbe dhe fitores së lirisë së shumëpritur nga populli i Kosovës. Si atëherë si sot prangosja e Albin Kurtit kishte për qëllim izolimin nga zhvillimet politike dhe pamundësimin e veprimtarisë së tij politike.

Në këtë kontekst, më 17 shkurt 2008, Albin Kurti kishte kritikuar ashpër Kuvendin e Kosovës dhe politikanët shqiptarë, të cilët e shpallen Kosovën shtet të pavarur dhe demokratik, por e harruan pa e përmendur fjalën sovranitet?!, fjalë kjo mjaft e rëndësishme në përcaktimin dhe definimin e koncepteve të shtetësisë. Po këtë ditë u ndryshua edhe Flamuri i Kosovës, i cili u zëvendësua me një flamur tërësisht të ndryshëm nga Flamuri ynë kombëtar, brenda të cilit shqiptarët e Kosovës përfaqësohen me një yll sikurse të gjitha komunitetet tjera të Kosovës edhe pse përbëjnë mbi 90 % të popullatës.

Qeveria dhe Kuvendi i Kosovës në Deklaratën e Pavarësisë e kanë futur edhe Rezolutën 1244, që sipas Vetëvendosjes! dhe Kurtit kjo është arsyeja pse ata e tolerojnë UNMIK-un dhe sundimin e tij, i cili po devijon konceptet e mirëfillta të lirisë dhe pavarësisë së Kosovës, deformime këto që po vazhdojnë me decentralizimin etnik të Kosovës, duke ia humbur sovranitetin vendit nëpërmjet protokolleve të EULEX-it me Serbinë që janë vazhdimësi e lojërave politike, përmes të cilave Kosova po humb territore dhe gradualisht po bosnjëzohet duke i krijuar korridor Serbisë për t’i theksuar lidhjet e varësisë së Kosovës me Serbinë.

Këto koncepte, të cilat dita-ditës po shndërrohen në realitet, Albin Kurti dhe Vetëvendosja! po i kundërshtojnë ashpër përmes protestave dha aktiviteteve tjera të përditshme, duke e vetëdijesuar dhe unisuar edhe popullin që të mos i pranojnë këto pazare dhe kompromise që po bëhen në dëm të Kosovës, sovranitetit dhe lirisë së saj. Ata po e zgjojnë nga gjumi burokracinë e fjetur ndërkombëtare dhe politikanët tanë të mekur.

Që në fillim të procesit, Albin Kurti dhe Vetëvendosja!, në vend të negociatave, të cilat e vënë në kompromis lirinë, kërkuan që populli i Kosovës të ketë mundësi të vendosë për vetveten, si do ai të jetë i qeverisur dhe nga kush. Pra, Lëvizja VETËVENDOSJE! kërkoi referendum gjithëpopullor në Kosovë, si e vetmja zgjidhje e drejtë dhe paqësore për të vendosur për statusin e Kosovës. Ky parim i dha kësaj lëvizje shtytje të reja për veprim.

Albin Kurti përmes aktiviteteve të tij në kuadër të Vetëvendosjes!, por edhe përmes Rrjetit të Aksionit për Kosovën (KAN) e njoftuan opinionin saktë, prognozat e tyre secilën ditë e më shumë po thellohen në ndërdijen e popullit tonë, duke i varur shpresat në liderin e ardhshëm Albin Kurti, për të cilin kanë fituar bindjen dhe besimin se është ndër ata që mund të bëjnë ndryshime radikale në Kosovë, në aspektin pozitiv të sigurisë, mirëqenies dhe garantimit të sovranitetit.

Në konceptet e këtij promovimi Lëvizja Vetëvendosje! ka fituar përkrahjen e Rrjetit të Organizatave Shqiptare, të cilat kanë filluar iniciativën e mbledhjes së peticioneve kundër gjykimit ndaj Albin Kurtit, të 16 shkurtit 2010, nga ana e EULEX-it, lidhur me demonstratat e 10 shkurtit të vitit 2007.

Vrasësit e protestuesve Mon Balaj e Arben Xheladini dhe të plagosjes së mbi 80 të tjerëve nga policia e UNMIK-ut, nuk u morën në përgjegjësi, madje ata në vendin e origjinës u dekoruan për krimet e bëra në Kosovë. Ndërkaq, EULEX-i rihap procesin gjyqësor kundër Albin Kurtit, për t’ia mbyllur gojën çdo iniciative të lirë dhe mospajtuese me veprimet kundër Kosovës.

Deri më tani, në Kosovë e Shqipëri janë mbledhur disa dhjetëra mijëra nënshkrime kundër procesit gjyqësor ndaj Albin Kurtit, që paraqesin edhe përkrahjen për Albinin si lider i një partie të re politike. Në fakt kjo është një lloj thirrje gjithëpopullore që i bëhet Albin Kurtit të kyçet në skenën politike shqiptare zyrtarisht, për të vënë fillet e një politike të mirëfilltë dhe të qëndrueshme në Kosovë, me kërkesa të qarta dhe profilizim të qëndrueshëm.

Hyrja e Albin Kurtit në skenën politike shqiptare, me formimin e një partie politike, është njëra ndër shpresat e popullit për ndryshime të mëdha. Kjo mund të jetë edhe fillimi i kanalizimit të partive politike në koncepte dhe drejtime të qarta, duke përfituar nga përvoja, sepse partitë e mëdha politike në Kosovë nuk kanë dallime thelbësore, atyre u mungon substanca, ndërgjegjësimi dhe profilizimi i mirëfilltë. Që të gjitha me pak ndryshime janë pajtuar rreth decentralizimit etnik, rreth privatizimit neoliberal. Me kohë janë distancuar kundër referendumit për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë.

Liderët e partive politike disi janë pajtuar për një Kosovë pa ushtri, janë pajtuar për flamurin dhe himnin kosovar, duke ndërmarrë nisma për krijimin e një kombi “kosovar”. Ato toleruan dhe vazhdojnë ta tolerojnë konceptin e strukturave paralele serbe dhe krijimin e komunave (serbe) në mënyrë institucionale në Kosovë, duke krijuar edhe brenda pakicës serbe në Kosovë, struktura paralele: komunat e reja serbe plus strukturat paralele. Ky hap u bë me zgjedhjet e fundit lokale në Kosovë, përmes të cilave u legalizuan komunat e reja me shumicë serbe, të cilat kanë statusin dhe do të funksionojnë si mini-shtete të Serbisë brenda Kosovës.

Më 12 qershor 2005, në muret që rrethonin ndërtesën e UNMIK-ut, aktivistët shkruan parullën “JO NEGOCIATA, VETËVENDOSJE”, që solli në transformimin e KAN-it në Lëvizjen VETËVENDOSJE! Tani me mbledhjen e peticioneve dhe mobilizimin e kësaj lëvizje në një shkallë më të gjerë, në një moment kur partitë politike çdo ditë e më shumë po e humbin besimin dhe kredibilitetin politik në popull dhe e vetmja lidhje me të pothuajse ka mbetur fushata zgjedhore, koha po tregon se Vetëvendosja! e ka fituar besimin dhe simpatinë e popullit. Ka ardhur koha që Lëvizja Vetëvendosje! të shndërrohet në parti politike, që do të bëjë reforma në skenën tonë politike.

Exit mobile version