Site icon Telegrafi

Albeyoglu: TEB mbështet idetë inovative për ndërmarrësit e rinj

Me gjithë përparimin e rritjes së mundësive të bizneseve në Kosovë, një ndër sfidat kryesore mbetet përkrahja dhe financimi i ideve inovative

Në këtë drejtim banka TEB në vazhdën e kontributit për ngritjen e kapaciteteve për bizneset vendore, po krijon mundësi për financimin e ndërmarrësve të rinj. Drejtuesit e TEB bankës gjatë prezantimit për idetë inovative, theksuan se qëllimi i programit të bankës është mbështetja e bizneseve si proces, i cili gjeneron vlera dhe modele të reja të biznesit.

Drejtori menaxhues i bankës TEB Ayhan Albeyoglu, theksoi se TEB është e bindur që ndërmarrësit e rinj nga sektori privat janë e ardhmja e zhvillimit dhe rritjes ekonomike të këtij vendi. Meqenëse ndërmarrësit e rinj kanë nevojë për mbështetje, dhe është obligim i palëve të interesit të ndryshëm të shoqërisë të krijojnë mekanizmat e duhura për zhvillim.
“Ideja fillestare ishte që të themelohet një sistem i cili do ti kontribuoj fuqizimit të kulturës së ndërmarrësisë në Kosovë si një mjet për zhvillimin ekonomik, sepse është koha kur ne duhet të fokusohemi për zhvillimin dhe hapjen e vendeve të reja të punës”, deklaroi Albeyoglu.

Ai tregoi se banka është e gatshme t’i mbështes ndërmarrësit në synimin e tyre për afarizëm, mirëpo, mbështetja e bankës mund të mos jetë e mjaftueshme.
“Banka është e gatshme ti mbështes ndërmarrësit e rinj në synimin e tyre për afarizëm dhe zhvillimin e vlerave të reja. Mirëpo, mbështetja e bankës mund të mos jetë e mjaftueshme duke qenë se segmentet janë burim i kombinuar i financimit, ideve dhe rrjeteve për të pasur sukses biznesi”, theksoi Albeyoglu.

Kurse, ministrja e Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë Hykmete Bajrami, ka prezantuar pikëpamjet e qeverisë dhe MTI-së rreth agjendës ekonomike dhe rreth rëndësisë së inovacionit për ekonominë e kosovare. Sipas saj inovacioni shihet nga qeveria si një komponentë mjaft e rëndësishme, e cila i influencon ndjeshëm zhvillimin ekonomik të vendit.

“Qeveria e Kosovës, po punon në jetësimin e programit të saj ekonomik, program i cili tashmë i dëshmuar që ka përfshirë në vete një varg reformash të cilat kanë për qëllim krijimin e kushteve sa më të mira për të bërë biznes. Në këtë rast inovacioni shihet nga qeveria si një kompnnentë mjaft e rëndësishme, e cila i influencon ndjeshëm zhvillimin ekonomik të vendit”, theksoi ministrja Bajrami.

Kurse zëvendës drejtori i TEB bankës Arton Celina theksoi se investimeve në Kosovë kryesisht janë fokusuar në investime të mëdha, por sipas tij duhet një koncept tjetër edhe me investime relativisht në shuma të ulëta.

“Deri më sot konceptimi dhe çështja e investimeve në Kosovë kryesisht është fokusuar në investime të mëdha, por sot ne dëshirojmë të prezantojmë një koncept tjetër edhe me investime relativisht në shuma të ulëta ku mund të gjenerohet mirëqenie”, theksoi Celina.

Ndërsa, disa ndërmarrës kanë prezantuar idetë e tyre inovative, të cilët treguan se ka treg potencial në Kosovë, por iu nevojitet përkrahja financiare. /Telegrafi/

Exit mobile version