Mbrojtësi i Liverpoolit, Alberto Moreno ka thënë se Sevilla e meritoi fitoren në finalen e Europa Ligës.
Klubi anglez ishte në avantazh prej një goli në pjesën e parë kur shënoi Daniel Sturridge, por Sevilla barazoi vetëm 18 sekonda pas fillimit të pjesës së dytë në fitoren 3 me 1.
Moreno ishte fajtor për golin e barazimit, por ka thënë se ekipi spanjoll e meritoi plotësisht trofeun e Europa Ligës.
“Urime Sevillas. Ne patëm një sezon të mirë në Europa Ligë, por nuk arritëm të ngremë trofeun”, ka thënë Moreno.
“Ishim më të mirë në pjesën e parë dhe patëm shumë raste. Është e vërtetë që ata na sorollatën nëpër fushë në pjesën e dytë. Ata luajtën shpejtë dhe shënuan tri gola për 20 minuta. Ishin ekip më i mirë. E merituan të fitojnë trofeun”.