Site icon Telegrafi

Albert Rohan: Katalonia nuk mund të krahasohet me Kosovën

Në një artikull autorial në gazetën vjeneze Die Presse, njëri nga ndërmjetësuesit e bisedimeve për zgjidhjen e statusit të Kosovës që u mbajtën në Vjenë, ambasadori austriak Albert Rohan, ka shpjeguar pse pavarësia e Kosovës është rast i veçantë dhe pse rasti i Katalonisë nuk mund të krahasohet me Kosovën.

“Çdo rast duhet të vlerësohet sipas veçantive dhe specifikave që ka dhe tek atëherë mund të gjykohet për të drejtën e secesionit  të një vendi. Në rastin e Kosovës bëhet fjalë për një diskriminim fundamental nga ana e një shteti”, shkruan fillimisht në artikullin e tij Albert Rohan, transmeton RTKlive.

“Kosova kishte një status të dyfishtë: Statusin e Krahinës autonome dhe të drejtën e entitetit të përfaqësimit  të barabartë në Federatën e Jugosllavisë me Republikat që u ndanë nga ish Jugosllavia”, thekson tutje Rohan.

“Statusi i saj i entitetit të barabartë në Federatën jugosllave, humbi me shpërbërjen e Jugosllavisë, ndërsa statusi i autonomisë u suspendua në vitin 1989 nga Serbia. Si reaksion, në shtator të vitit 1991 popullata shumicë shqiptare realizoi referendumin e pavarësisë  me një pjesëmarrje prej 87 për qind të popullatës dhe me një votim pro pavarësisë prej 99 për qind të votuesve në referendum”, sqaron tutje diplomati austriak.

“Pas kësaj vjen deri te shtypja masive ndaj popullatës shumicë shqiptare në Kosovë nga ana e Qeverisë së Beogradit dhe për pasojë, fundi i lëvizjes paqësore dhe fillimi i kryengritjes së armatosur kundër sundimit serb”.

“Kjo shkaktoi në vitin 1998/99 operacionet ushtarake të Serbisë ku për pasojë u dëbuan nga Kosova 800.000 kosovarë. Për t’i dhënë fund këtij dëbimi masiv, komuniteti ndërkombëtar vendosi ndërhyrjen ushtarake ndërkombëtare. Në Kosovë më pas u vendos UNMIK dhe misioni ushtarak KFOR. Më 2006, me iniciativën e Kai Aides nga OKB-ja filluan në Vjenë bisedimet për statusin e ardhshëm të Kosovës dhe si rezultat i propozimit të zgjidhjes nga i ngarkuari i posaçëm i OKB-së, Marti Ahtisari, Kosova më 2008 shpalli pavarësinë. Beogradi kundërshtoi dhe me iniciativën e tij, me këtë çështje u mor edhe Gjykata Ndërkombëtare, e cila vlerësoi se pavarësia e Kosovë nuk ishte në kundërshtim me të Drejtën Ndërkombëtare”, shkruan Rohan, përcjell Rtklive.

“Asnjë prej këtyre zhvillimeve nuk ngjasojnë me situatën në Kataloni, e cila me gjuhë, identitet dhe kulturë i takon historisë së përbashkët të Spanjës. Katalonia ka zhvillim të lartë ekonomik dhe ka një autonomi gjithëpërfshirëse të garantuar me kushtetutë dhe administrate”, ka shkruar në tekstin autorial të botuar në Die Presse, ish-ndërmjetësi ndërkombëtar për statusin e Kosovës, Albert Rohan.

Exit mobile version