Site icon Telegrafi

Albert Musliu: Zgjedhjet garanci për fillimin e tejkalimit të krizës

Mbajtja e zgjedhjeve më 11 dhjetor, nuk është garanci për tejkalimin e plotë të krizës, por vetëm fillim i mbarë i procesit i cili mund të arrihet vetëm nëse zgjedhjet e mbajtura do të jenë të besueshme dhe të pranueshme për të gjitha palët garuese në proces.

Marrëveshja e Përzhinës është një proces i cili duhet të vazhdojë edhe pas mbajtjes së zgjedhjeve, sepse reformat e thella në shtet që duhet të ndodhin janë çelësi i vetëm që qytetarët serish të kthejnë besimin e humbur tek funksionimi i shtetit ligjor dhe juridik.

Kështu shprehet analisti Albert Musliu për TVM2, i cili shprehet optimist se kësaj radhë palët nënshkruese të marrëveshjes kanë shprehur vullnet të plotë që të dilet në zgjedhje.

“Zgjedhjet nuk janë tejkalimi i krizës, por fillimi i tejkalimit të krizës. Marrëveshja e Përzhinës nuk nënkupton vetëm mbajtjen e zgjedhjeve, por nënkupton reforma të thella në disa sfera të rëndësishme të shoqërisë , nënkupton edhe punën pa ndërprerë dhe pa obstruksione të prokurores speciale , ka shumë pjesë të marrëveshjes së Përzhinës të cilat duhet të plotësohen që kriza të tejkalohet plotësisht dhe besueshmëria e qytetarëve tek institucionet të kthehet plotësisht. Pas nënshkrimit të marrëveshjes pas gjithë atyre detajeve që janë precizuar, pas zgjidhjes së çështjes së mediave , besoj se të gjithë palët kanë vullnet të dilet në zgjedhje në fund të vitit. Fatmirësisht të gjithë nënshkruesit me inkurajimin e partnerëve ndërkombëtar kanë lënë edhe një datë kontrolli dhe ajo datë është caktuar për më 31 gusht, dhe besoj që liderët do të dalin pozitivisht të orientuar prej takimit dhe do ta aprovojnë hyrjen në procesin parazgjedhor”, shprehet analisti politik Albert Musliu.

Sipas Musliut pikat tek të cilat mund të haset ngecje gjatë implementimit, është zgjedhja e kryeredaktorit të servisit të parë programor nga ana e LSDM-së, tek formimi i trupit rregullator për punën e mediave si dhe pastrimi i listës zgjedhore. /Telegrafi/

Exit mobile version