Telegrafi

Albena Reshitaj pjesë e mundshme e grupit parlamentar të Listës Guxo, komentojnë analistët

Analistët në “Debat Plus” kanë komentuar mundësinë e formimit të një grupi të ri parlamentar në Kuvendin e Kosovës.

Si opsion është përmendur formimi i një grupi të ri parlamentar mes deputetëve të Listës Guxo dhe deputetes që aktualisht është e pavarur Albena Reshitaj.

Ish-ministri i Drejtësisë, Selim Selimi ka thënë se Reshitaj ka mundësi t’iu bashkohet deputetëve të Listës Guxo.

“Edhe nëse behet grupi parlamentar i Listës Guxo, nuk është rrezik për Qeverinë”, ka deklaruar Selimi.

Mushkolaj ka thënë se edhe nëse formohet grupi i Listës Guxo me Albena Reshitajn, kjo do të ishte në shërbim të fuqizimit të Guxo.

“Realisht tash për tash nuk e dimë çfarë përfaqëson Lista Guxo. Kjo parti e ka të vështirë në zgjedhjet e ardhshme prandaj formimi i këtij grupi do të ishte legjitim”, deklaroi Mushkolaj.

Edhe Dardan Gashi mendon se formimi i grupit parlamentar të Guxo do të ishte veprim i nevojshëm për ekzistimin e tyre si parti.

“Nëse Lista Guxo dëshiron të vazhdojë të ekzistojë, duhet patjetër të bëj këtë hap për të formuar grupin e tyre parlamentar, ndryshe nuk ka si del në zgjedhje”.

Mirëpo Selimi thotë se nëse Guxo do të ndahej nga LVV do të ndeshej me elektoratin e LVV-së sikurse ish-grupi i PSD-së.

Aktualisht Lista Guxo në Kuvendin e Kosovës ka katër deputetë (Burim Meta, Doarsa Kica-Xhelili, Haxhi Avdyli, Jeta Statovci) dhe dy ministra (Faton Peci e Donika Gërvalla), derisa Vjosa osmani për shkak të përgjegjësive kushtetuese pas zgjedhjes presidente është dorëhequr nga funksionet partiake.

Për t’u formuar një grup parlamentar nevojiten së paku gjashtë deputetë./Telegrafi/