Deputetja e AAK-së, Albena Reshitaj është parë edhe sot në seancën e Kuvendit të Kosovës, ku është duke u votuar për zgjedhjen e Presidentit të Kosovës.
Reshitaj kishte marrë pjesë edhe mbrëmë në seancë, ani pse subjekti që ajo i takon kishte marrë vendim për të mos marrë pjesë në seancë.
E një veprim i tillë i deputetes u kritikua nga kreu i partisë së AAK-së, Ramush Haradinaj e cili e quajti të padobishëm.
E madje sot në media u raportua se Reshitaj është përjashtuar nga partia. Mirëpo për një gjë të tillë deputetja Reshitaj ka thënë për Telegrafin se nuk është në dijeni.
“Për të ndodh një gjë e tillë duhet të mblidhet kryesia dhe votohet pro ose kundër përjashtimit nga kryesia e partisë. Unë nuk kam informata nëse një mbledhje e tillë me kryesinë e partisë ka ndodh kaq shpejt dhe nëse është votuar përjashtimi”, ka thënë Reshitaj për Telegrafin.
Sipas statusit të AAK-së, neni 7 pika 3 thuhet se kryesia e partisë merr vendim për përjashtimin e anëtarit: Me propozimi të Komisionit Etik, me propozim të degës, me propozim të nëndegës dhe me propozim të kryesisë së AAK-së.
“Propozimi për përjashtimi bëhet nëse: anëtari është anëtarësuar në subjekt tjetër politik, merr pjesë në listë/garë zgjedhore të subjekteve të thera politike pa aprovim të Kryesisë së AAK-së, merr funksion të të emëruarit politik në institucione të qeverisura nga partitë tjera pa aprovimin e Kryesisë së AAK, kur me veprimet dhe qëndrimet e veta dëmton imazhin dhe funksionimin e AAK”, thuhet në pikën 4 të statusit të AAK-së.
Tutje në pikën 7 thuhet se ankesën mbi vendimin për përjashtim, si instancë e fundit e shqyrton Këshilli Drejtues i AAK-së në afat prej 30 ditësh. /Telegrafi/