Site icon Telegrafi

Albatrit Syla: Nga fëmijëria kam dashur të luaj për vendin tim

(Foto: basketbolli.com)

Dita ditës po rritet numri i basketbollistëve, të cilët luajnë në liga evropiane dhe vendosin të përfaqësojnë shtetin e Kosovës.

Njëri ndër ta është edhe Albatrit Syla. Ai sapo ka mbushur 18 vjet dhe është i gjatë 202 cm. Syla është pjesë e Kosovës U-20.

“Është nder shumë i madh që të jem pjesë e Kosovës U-20. Kam kaluar shumë mirë me të gjithë, që nga dita e parë. Më kanë pritur shumë mirë. Po kalojmë shumë mirë njëri me tjetrin dhe atmosfera është e mrekullueshme. Prej fëmijërisë kam pasur dëshirë të luaj për vendin tim”, është shprehur Syla për ueb-faqen zyrtare të FBK-së.

Ai është i lumtur që luan për Dardanët. “Kam pasur mundësi të luaj edhe për Finlandën. E kam parë që në Kombëtaren e Kosovës janë mundësitë shumë të mira. Djelmoshat e Kosovës janë shumë të mirë dhe jam shumë i kënaqur deri më tani”, ka shtuar tutje Syla, i cili ka qenë pjesë e grupmoshave të Finlandës.

Ëndrra e tij është që një ditë të luajë për Kosovën A. “Shpresoj që një ditë të luaj për Kosovën A. Për këtë jam duke u përgatitur. Të shohim se çka do të ndodhë në të ardhmen”, përfundoi Albatrit Syla.

Ai tani është pjesë e Omnia Basketball Academy, nga ku kanë dalë shumë lojtarë të njohur.

Kosova U-20 (M) do të marrë pjesë në Grupin E të FIBA U-20 European Challengers që do të mbahet prej 20 deri më 25 korrik 2021 në Sopron të Hungarisë. Në këtë qytet do të luhet edhe Grupi D me këto shtete pjesëmarrëse: Maqedonia e Veriut, Zvicra, Rumania e Luksemburgu. Kosova është në grup me Bjellorusinë, Hungarinë e Sllovakinë.

Exit mobile version