Telegrafi

Albanica – program i veçantë veror për fëmijët nga diaspora

Këtë verë, për fëmijët e bashkë-atdhetarëve tanë nga diaspora, vizitat familjare, dhe pushimet në bregdetet shqiptare nuk do të jetë mundësia e vetme për lidhje dhe ndërveprim për gjuhën dhe traditën shqiptare.

Të gjithë ata që jetojnë në diasporë dhe pushimet verore do t’i kalojnë në Kosovë, shkolla verore “Albanica”, mundëson program të veçantë për fëmijë, përmes të cilit do të mësojnë gjuhën dhe kulturën shqipe.

Shkolla verore “Albanica”, mundësohet nga Kolegji “Universum” në Prishtinë dhe ka për qëllim që fëmijëve nga diaspora, t’u ofrojë program njëjavor, shumë të pasur me aktivitete.

Programi do të jetë i pranishëm në tri qytete të Kosovës, Prishtinë, Gjakovë dhe Ferizaj, gjatë muajit korrik dhe gusht.

Programi ofron kulturë dhe gjuhë shqipe; vizita dhe ekskursione në vende historike; pjesëmarrje në teatër dhe në valle shqipe; aktivitete, lojëra e kënaqësi të tjera.

Aktivitetet do të jenë të ndara në tri pjesë: Paradite, fëmijët do të mësojnë për trojet shqiptare (Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Mali i Zi, Luginë e Preshevës, Çamëri), dhe mësim të gjuhës shqipe.

Në mesditë, do të kenë mundësi të vizitojnë teatrot, të mësojnë vallet shqipe, të dëgjojnë ligjëratë nga historianë dhe të shohin filma shqiptarë.

Pasdite, do të vazhdohet me vizitë në Muzeun e Kosovës, Muzeun Etnologjik dhe qytetin e vjetër Ulpianën.

Për të gjithë të interesuarit, që duan të regjistrojnë fëmijët e tyre, të cilët duke u argëtuar do të mësojnë gjuhën dhe kulturën shqipe, ju lutem na kontaktoni në: https://www.facebook.com/ShkollaAlbanica /Telegrafi/