Ka fituar gjithçka që mund të fitohet në basketbollin e Kosovës, por kur pyetet për numrin e trofeve, Alban Veseli kërkon pak kohë për të dhënë një përgjigje të saktë.
“Janë shumë, duhet të kujtohem pak. Kam shumë trofe me Prishtinën, por edhe me Pejën”, është përgjigjja e parë e Veselit, i cili këtë edicion po aktivizohet me skuadrën e Pejës, shkruan sot “Koha Ditore”.
Veseli 26-vjeçar, kërkon kohë vetëm për trofetë si senior për shkak se ato të fituara me kategoritë e reja, as që i kujtohen.
Në të vërtetë, Veseli në basketbollin e Kosovës ka fituar në total 17 trofe. Ka gjashtë tituj kampioni, shtatë kupa dhe një Superkupë të Kosovës me fanellën e Sigal Prishtinës. Me Pejën ka një titull një kupë dhe një Superkupë të Kosovës.