“Kemi pritur 24 orë dhe pranë Komisionit zgjedhor ad-hoc të qendrës nuk është paraqitur asnjë ankesë. Në fund, ne si komision vlerësojmë procesin e zgjedhjeve si të lira dhe në përputhje të plotë me frymën e demokracisë së brendshme, të shprehur në statutin dhe rregulloren për zgjedhje të brendshme të Lëvizjes Vetëvendosje! Nisur nga ky konstatim, sot shpallim fitues të këtyre zgjedhjeve për kandidatin për kryetar komune në Malishevë, Alban Krasniqin, i cili ka fituar 96 për qind të votave”, tha Valon Kabashi nga Komisioni Zgjedhor ad hoc i Qendrës.
Kandidati Krasniqi, në fjalën e tij të rastit tha se Malisheva sot njihet si komuna më e pazhvilluar dhe më e prapambetur, si komuna ku prona publike dhe prona e qytetarëve zaptohet, shitet e stërshitet nga njerëzit e pushtetit për xhepat e tyre, ku pasuria e pushtetarëve dhe varfëria e qytetarëve është shumëfishuar, ku punëtori publik e shërbyesi civil kërcënohet dhe shantazhohet, ku kriter punësimi është partia dhe jo dija.
“Tani Malisheva mbijeton fal punës së atyre qindra punëtorëve sezonal që çdo ditë udhëtojnë në të gjitha anët e Kosovës e më gjerë, për të siguruar mbijetesën e familjeve të tyre, mbijetesë kjo e vështirë, por e dinjitetshme. Sot Malisheva mbijeton po ashtu falë dhjetëra mijëra bashkatdhetarëve, të cilëve shpresën dhe mundësinë për tu arsimuar, punuar, e jetuar këtu ua mori, si regjimi i kaluar ashtu edhe ky i tanishmi”, tha ndër të tjera Krasniqi. /Telegrafi/