Alban Dragusha është rikthyer edhe njëherë te klubi i Dritës.
Përderisa tri vite më parë ishte si futbollist dhe ndihmoi Dritën në barazh, tani Dragusha është rikthyer në klub me një tjetër pozitë.
Ish-qendërmbrojtësi i disa skuadrave kosovare, shqiptare dhe evropiane ka marrë rolin e ndihmëstrajnerit te klubit bardhekaltër.
Dragusha do të jetë krahu i djathtë i trajnerit Ardian Nuhiu te Drita.
Lajmi është konfirmuar nga vet klubi gjilanas nëpërmjet faqes së tyre zyrtare.
“Klubi jonë krahas përforcimeve me lojtarë cilësor gjatë këtij afati kalimtar, rëndësi i ka kushtuar edhe stafit të trajnerëve ku ka arritur marrëveshje me Alban Dragushen, një emër i madh në futbollin Kosovar edhe më gjerë”.
“Albani i është bashkuar ekipit që nga dita e parë dhe besojmë shumë që së bashku do të jemi edhe më të fort drejt realizimit të synimeve tona”
“Para ardhjes te klubi jonë, Albani si trajner ka punuar te ekipi i KEK-ut dhe Ramiz Sadiku, ndërsa krahas shumë klubeve nëpër të cilat ka bërë karrierë si futbollist në Kosovë, Shqipëri, Suedi ai ka veshur edhe fanellën e Fc Drita”, thuhej në njoftimin e Dritës. /Telegrafi/