Pas përkrahjes që i dha dy klubeve të basketbollit, Prishtinës dhe Pejës, Alba Qeramika ka nënshkruar marrëveshje për përkrahjen edhe për kampionen e botës në xhudo, Majlinda Kelmendi, dhe klubit të xhudos “Ippon” nga Peja.
“Ne besojmë fuqishëm se sukseset në sport, janë mënyra më e mirë e promovimit tonë në botë, dhe tani kur sporti kosovar më në fund e ka mundësinë për të marrë pjesë në evenimente ndërkombëtare, përkrahja është edhe më e rëndësishme. Majlinda Kelmendi, me sukseset e saj është shembulli më i mirë i këtij promovimi dhe urojmë që këto suksese të kurorëzohen në Lojërat Olimpike në Brazil. Ne i urojmë Majlindës dhe gjithë sportistëve kosovarë suksese, dhe zotohemi se do ta kenë përkrahjen tonë”, tha Fisnik Deçani, Partner Menaxhues në Alba Qeramika.
Driton Kuka, trajner i Majlinda Kelmendit në këtë rast falënderoi menaxhmentit e Alba Qeramika-s, duke u shprehur për suksese të reja në sport.
“Mënyra më e mirë për të falënderuar këta përkrahës të sportit, si Alba Qeramika, është që sportistët e klubit Ipon nga Peja, të udhëhequr nga Majlinda Kelmendi të fitojnë sa më shumë gara, sepse fitoret e tyre janë edhe fitore të këtyre përkrahësve”, theksoi trajneri Kuka
Alba Qeramika si kompani lidere në industrinë e qeramikës, çdo vit zgjedh një fushëveprim ku jep kontributin e vet. Këtë vit, këtë kontribut e ka dhënë ndaj sportit duke u bërë sponzor i klubeve të basketbollit Sigal Prishtina dhe KB Peja.
Përkrahja ndaj klubit të xhudos “Ippon” dhe Majlinda Kelmendit, do të vazhdojë deri vitin tjetër kur edhe pritet që Kosova të marrë pjesë për herë të parë në lojërat olimpike botërore. /Telegrafi/