Klubi i Basketbollit Prishtina, ka nënshkruar kontratë të re me kompaninë Albaqeramika e cila do të jetë sponsore e këtij klubi edhe për vitin 2015-2016.
Marrëveshja përfshinë mbështetjen e klubit dhe të lojërave për periudhën 1 tetor 2015 – 1 qershor 2016, në Super ligën e Kosovës në basketboll si dhe në Ligën Ballkanike dhe Eurocup.
Ceremonia e nënshkrimit të kontratës u mbajt në Prishtinë, ku të pranishëm ishin përfaqësues dhe lojtarë të Klubit të Basketbollit Prishtina, si dhe menaxhmenti i Albaqeramikës.
“Përkrahja e sportit është shumë e rëndësishme sidomos tani kur klubet tona po bëhen gjithnjë e më të pranishme në arenën ndërkombëtare. Ne besojmë fuqishëm se promovimi i një vendi mund të bëhet më së miri përmes sporteve prandaj edhe përkrahja jonë ndaj këtyre klubeve nuk do të mungojë. Ne të gjithë u gëzohemi sukseseve të kampionës tonë Majlinda Kelmendi, dhe shpresojmë që shumë shpejt të shohim edhe sportistë të tjerë të na sjellin tituj kampionësh, tha me këtë rast Valdet Deçani, partner menaxhues i Albaqeramika.
Ekipi i basketbollit Prishtina përveç garave në Superligën e Kosovës, merr pjesë edhe në Ligën Ballkanike dhe ne FIBA Europe Cup gjë që e bën përkrahjen ndaj klubit edhe më të rëndësishme.
Si kompani lidere në industrinë e qeramikës, Albaqeramika çdo vit mbështet fusha të ndryshme të jetës e sidomos fushën e sportit. Përveç Klubeve të Basketbollit Peja dhe Prishtina, Albaqeramika mbështet edhe kampionen e botës në xhudo, Majlinda Kelmendi, dhe klubit të xhudos “Ippon”.
Përkrahja ndaj klubit “Peja” do të vazhdojë deri vitin tjetër me shpresë që sporti në Kosovë të ecë përpara drejt sukseseve më të mëdha përmes pjesëmarrjeve të ndryshme jashtë vendit. /Telegrafi/