Jordi Alba ka pranuar se nuk e ndjen më se e ka besimin e trajnerit të Barcelonës, Luis Enrique, pasi tashmë po i rrezikohet pozita e startuesit në skuadër.
Mbrojtësi i majtë nuk luajti në ndeshjen ndaj Valencias në fundjavë, si edhe mungoi në triumfin historik ndaj Paris Saint-Germainit, si pasojë e sistemit të ri të lojës me tre mbrojtës.
Madje është spekuluar se trajneri e ka marrë këtë vendim për shkak të formës jo të mirë të Albas duke nxitur thashetheme për largimin e mundshëm të tij.
“Nuk e ndjej besimin e trajnerit te Barcelona dhe do të doja ta kisha”, ka thënë Alba për Movistar+.
“Të gjithë lojtarët duan të kenë vazhdimësi, të kenë minutazh. Është e vërtetë se kam qenë më shumë i përfshirë në sezonet e fundit (na krahasim me tash), por këto vendime janë të trajnerit”.
“Kur kam luajtur, nuk kam kërkuar sqarime, prandaj nuk do ta bëj as tash”, ka theksuar më tej Alba. /Telegrafi/