Kryetari i Odës Ekonomike në Kosovë, Lulzim Rafuna ka theksuar nevojën për veprime të menjëhershme nga Qeveria e Kosovës për të mbrojtur dhe përmirësuar ekonominë e Kosovës.
Ai në një intervistë për KosovaPress derisa thotë se ka nevojë për reforma në politikat fiskale, konsideron se qeveria duhet të ndihmojë më shumë bizneset vendase, pasi që sipas tij, ka rënie të theksuar të eksportit, për çfarë thotë se kjo dëmton edhe ekonominë e vendit.
Sa i përket investimeve publike dhe projekteve kapitale, Rafuna bën thirrje për qeverinë që të fillojë sa më shpejtë implementimin e projekteve për të stimuluar dhe nxitur rritjen ekonomike.
Ai i shqetësuar shprehet edhe me masat e vendosura nga Bashkimi Evropian për Kosovën, ku tashmë bëhen një vit. Ai derisa thotë se kërkesat që vijnë nga partnerët dhe aleatët ndërkombëtar duhet të zbatohen dhe të implementohen nga Qeveria, vlerëson hapin e zgjedhjeve të mbajtura në veri si pozitiv, por thekson se është e rëndësishme të koordinohet me aleatët në mënyrë që të adresohen edhe sfidat tjera që prekin ekonominë e vendit.
“Ne si Odë Ekonomike për shkak se po dëmtohet ekonomia jonë, bizneset, por edhe qytetarët e Republikës së Kosovës, po ashtu edhe imazhi, kërkesa jonë ka qenë që kërkesat që vijnë nga partnerët ndërkombëtar. Në këtë rast nga Bashkësia Evropiane dhe nga miqtë tjerë, nga ShBA-të, Anglia, të harmonizohen nga ana e Qeverisë së Republikës së Kosovës, të dakordohen dhe gjitha këto masa të implementohen…
(Kërkesat për zgjedhjet në Veri), është një hap që e ka bërë Qeveria, që është të përgëzohet, mirëpo duhet të shihen cilat janë kërkesat tjera dhe duhet sa më urgjent, sa më shpejtë të hiqen masat që nuk i meriton Republika e Kosovës…Për momentin, sipas të dhënave që posedojmë si Odë jemi këtu, jemi të 300 milionëshi, mirëpo nuk do të thotë që kjo muajt e ardhshëm nuk rritet, për shkak se vijnë projektet që vendet tjera përfitojnë, ndërsa Kosova nuk përfiton, dhe kjo vlerë mund të shkojë duke u rritur”, deklaron Rafuna.
Në lidhje me rritjen e çmimit të produkteve të konsumit, e cila sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës në muajin mars e prill të këtij viti, indeksi i tërësishëm i harmonizuar i çmimeve të konsumit është më i lartë në një mesatare prej 2.3 për qind krahasuar me muajin mars të vitit të kaluar, Rafuna përmend nevojën për ndërhyrjen e politikave financiare për të shmangur rritjen e atyre çmimeve.
Ai ka pohuar se lajmi i mirë është se inflacioni është në rënie, por gjithashtu ka vënë në duke nevojën për të analizuar dhe eliminuar kostot shtesë që ndikojnë në rritjen e çmimeve.
“Duhet të merren masat e politikave fiskale, financiare, por edhe tek pjesa administrative në mënyrë që të ndihmohet që çmimet sidomos për produktet e konsumit të përditshëm të mos shtrenjtohen sepse ndikon drejtpërdrejt në gjepin e qytetarëve. Tani është lajm i mirë që inflacioni është në rënie, jo vetëm në Kosovë, por rajon dhe gjithë Evropën, lajmi mirë është që kemi dalë edhe prej sezonit të dimrit dhe nuk është më kërcënimi i mungesës së energjisë elektrike ose ngritja e çmimit të energjisë elektrike, normat e interesit kanë filluar që të bien në vendet e BE-së, tani edhe në Kosovë, ky është lajm i mirë edhe për bizneset. Kështu, duhet të shohim ku është ajo kostoja shtesë që po e kanë bizneset tona që po ndikon në ngritjen e çmimeve dhe të eliminojmë edhe atë pjesë nga ana e Qeverisë”, shton Rafuna.
“Po ndikojnë shumë, sepse një ndër elementet që ndikon drejtpërdrejt në rritje të bruto produktit vendor janë edhe investimet publike, në këtë rast që vinë prej projekteve kapitale që parashihen të financohen nga mjetet publike, nga paratë e parapara në buxhetin e shtetit, d.m.th me ligjin e buxhetit për vitin 2024. Për ne ka qenë shqetësuese kur kemi parë edhe komunikatën e Fondit Monetar që nuk i referohet shumë investimeve publike. Kërkesa jonë ka qenë gjithmonë më së paku në qoftë se nuk ka mundësi të shtojë shumën e mjeteve për shpenzime kapitale, së paku të shpenzohet ajo shumë e cila është e planifikuar.
Ne jemi dëshmitar që dy apo tre vitet e kaluara ka qenë më e vogël shuma që ka njohur ndonjëherë historia e implementimit të projekteve kapitale. Dhe kërkesa jonë sërish shkon për Qeverinë, ministritë përkatëse qe të fillojnë të implementojnë projektet në kuptim të plotë të ligjit, duke e respektuar çdo dispozitë të tij, mirëpo të fillojnë sa më herët në mënyrë që projektet të implementohen, por edhe ajo shumë qe ka qenë e paraparë të shkojë tek biznesi, deri tek hallka e fundit”, shton Rafuna.
Ai gjithashtu shpreh shqetësimin për rënien e eksportit dhe bënë thirrje Qeverisë që të lobojë sa më shumë për përmirësimin e imazhit të vendit për të siguruar stabilitet dhe ambient të favorshëm në të bërit biznes.
“Ankesat janë të shumta, ankesa më e madhe për momentin është gjetja e tregut më të madh, duhet të ndihmohen prodhuesit. Nëse shohim të dhënat nga doganat, por edhe nga ASK shohim se ka rënie të eksportit në këta tre muajt e fundit, dhe kjo është shqetësuese, për arsyeje se duhet parë sa i përket eliminimit të mundësisë që Kosova të paraqitet si një vend i tensionuar, si një vend i krizës, këtu duhet të kemi kujdes të gjithë, duhet të punojmë sa më shumë në përmirësimin apo tregimit të imazhit të Kosovës, që është një vend i qetë, demokratik, në vend që ndikon në stabilitet edhe të BE-së, ambient i të bërit biznes.
Është edhe çështja e mos ndërmarrjes në politikat fiskale, është viti i gjashtë që nuk ka një freskim të politikave fiskale. Më pas reforma në sistemin arsimor, për ta lidh arsimin me kërkesat e tregut, duhet shëndetësia e me radhë. Institucionet duhet të jenë më të shpejta, sepse nuk kemi kohë që të presim dhe të shohim prej një shikimi të lirë se çfarë po ndodh, duhen veprime konkrete dhe të shpejta”, thotë Rafuna.
Eksporti i mallrave në muajin shkurt të këtij viti kishte vlerën 70.3 milionë euro, ndërsa importi 467.8 milionë euro, që është një rënie prej 3.9 për qind për eksport, si dhe një rritje prej 19.7 për qind për import, duke krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2023.
Të dhënat nga Tregtia e Jashtme të Mallrave në Kosovë tregojnë për një deficit tregtar më të lartë për 25.2 për qind në muajin shkurt 2024, në raport me periudhën e njëjtët të vitit 2023, gjegjësisht në vlerë prej 397.4 milionë euro, krahasuar me deficitin prej 317.5 milionë euro në vitin 2023.
Sipas raportit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, për statistikat e Tregtisë së Jashtme, eksporti mbulon importin me 15 për qind. /kp/