Telegrafi

Haxhiu: Sistemi shëndetësor mund të kolapsojë nga ikja e mjekëve

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu / Foto: Ridvan Slivova

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu, ka ngritur alarmin për ikjen nga vendi të profesionistëve shëndetësorë.

Në seancën e Kuvendit të Kosovës të enjten, Haxhiu ka thënë se për tri vite, mbi tre mijë profesionistë shëndetësorë kanë lëshuar vendin. Sipas tij, nëse vazhdon ky trend, sistemi shëndetësor do të kolapsojë.

“Për tri vite, mbi 600 mjekë, mbi 2500 infermierë, fizioterapeutë, teknikë të radiologjisë, teknikë mjekësorë, kanë ikur. Pra, janë më shumë se 3100 profesionistë shëndetësorë që kanë ikur nga Kosova në tri vitet e fundit. Kjo është shumë shqetësuese”.

“Nëse ky trend vazhdon me këto shifra alarmante të ikjes së profesionstëve shëndetësorë, sistemi ynë shëndetësor do të kolapsojë. Prandaj është koha që koka të kthehet nga shëndetësia jonë, sa nuk është bërë tepër vonë”, ka thënë ai.

Deputeti i PDK-së tutje ka kritikuar Qeverinë për mosndarjen e buxhetit për riparim të protezave të invalidëve të luftës, teksa ka bërë thirrje për reflektim nga ana e deputetëve.

“Kur për 4 vjet Qeveria nuk ndanë buxhet për riparim të protezave të invalidëve të luftës, kur një sistem shëndetësor nuk ofron shërbim të kujdesit ndaj invalidëve të luftës për riparim të protezave, çfarë mund tjetër të presim nga kjo qeveri. Qeveria është vonuar, por është detyrë e deputetëve për të reflektuar që gjendja në shëndetësinë tonë për ta përmirësuar”, tha ai.