Rritje e nivelit të detit, erozion i bregdetit, urbanizim galopant, Bangkoku, që pret më 4-9 shtator mbledhjen për COP-24, konferenca e radhës e OKB-së për klimën, po fundoset pa pushim dhe deri në vitin 2030 një pjesë e tij mund të jetë nën ujë.
“I ndërtuar në moçale që janë 1,5 metra mbi nivelin e detit, ky metropol prej më shumë se dhjetë milionë banorë zhytet një deri në dy centimetra në vit dhe rrezikon të përballet me përmbytje të fuqishme në të ardhmen e afërt”, thotë Tara Buakamsri, drejtori i “Greenpeace Tajlandë”.
Gjatë përmbytjeve të mëdha të vitit 2011, më shumë se një e pesta e qytetit u përmbyt, ku më shumë ishin prekur zonat periferike, ndërkohë që zonat e biznesit shpëtuan falë digave që u ngritën menjëherë.
Një skenar që pritet të ndodhë gjithnjë e më shpesh, shkruan AFP, transmeton atsh. Gati 40% e qytetit mund të përmbytet deri në vitin 2030, sipas parashikimeve të Bankës Botërore, që e klasifikon metropolin si një nga më të rrezikuarit në Azi bashkë me Xhakartën.
Bangkoku, “një qytet obez me skeletin e një fëmije” sipas shprehjes së gjeologut Thanawat Jarupongsakul, është fillimisht viktimë e zhvillimit të tij të shfrenuar.
Pesha e rrokaqiejve, që nuk pushojnë së rrituri drejt qiellit në një transformim të pandërprerë, po shkakton një fundosje të vazhduar.
“Ndërsa kanalet e shumta që përshkruanin kryeqytetin, që dikur quhej Venecia e Orientit, pjesa më e madhe janë zhdukur, të mbuluar nga një rrjet gjigant rrugor. Në fakt ato përbënin një sistem të kullimi natyror shumë të mirë”, thotë Suppakorn Chinvanno, ekspert mbi klimën në Universitetin “Chulalongkorn” të Bangkokut.