Programi raketor i Koresë së Veriut po përparon më shpejt sesa pritej, tha të martën ministri i mbrojtjes i Koresë së Jugut, disa orë pasi Këshilli i Sigurimit të Kombeve të Bashkuara kërkoi që Veriu t’i ndalë të gjitha testet e raketave bërthamore dhe balistike dhe dënoi nisjen e provave të së dielës.
Koreja e Veriut, e cila ka sfiduar të gjitha thirrjet për të frenuar programet e saj të armëve, madje edhe nga aleatja e saj e vetme, Kina, është duke punuar në një raketë me kokë bërthamore, e aftë për të goditur kontinentin e SHBA-së.
Administrata e Presidentit të SHBA-së, Donald Trump ka bërë thirrje për ndalim të menjëhershëm të provokimeve të Pyongyang-ut dhe ka paralajmëruar se “epoka e durimit strategjik” me Korenë e Veriut ka mbaruar.
Pyongyang në mënyrë të vazhdueshme ka kërcënuar se do të shkatërrojë Shtetet e Bashkuara, dhe e akuzon atë se duke kryer stërvitjet e fundit ushtarake me Korenë e Jugut dhe Japoninë, po e çon gadishullin Korean në prag të luftës bërthamore.
Trump dhe presidenti i ri i Koresë së Jugut, Moon Jae-in, do të takohen në Uashington muajin e ardhshëm.
Në krye të agjendës pritet të jenë shqetësimet rreth përparimit të sistemit raketor të Koresë së Veriut.