Një kërcënim me bombë në orët e pasdites në Aeroportin Ndërkombëtar “Adem Jashari” në Prishtinë, ka rezultuar të jetë i rremë.
Në njoftimin zyrtar nga Aeroporti Ndërkombëtar “Adem Jashari” thuhet se aeroporti tashmë është i hapur për fluturime.
“Ju njoftojmë se janë ndërmarrë të gjitha veprimet operative dhe hetimore nga organet kompetente të Republikës së Kosovës. Kjo ka rezultuar se kërcënimi me bombë ka qenë alarm i rrejshëm. ANP ‘Adem Jashari’ është i hapur për fluturime, dhe të gjitha fluturimet do të procedohen si zakonisht”, thuhet në njoftim, transmeton Telegrafi.
Edhe Policia e Kosovës ka konfirmuar se alarmi për bombë në aeroport ishte i rremë.
“Pas verifikimit dhe ushtrimit të kontrollit në Aeroportin Ndërkombëtar ‘Adem Jashari’, ku ishte raportuar për vendosjen e mjeteve shpërthyese, ka vërtetuar se këto informacione kanë rezultuar të jenë të rrejshme”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Më tej thuhet se puna në aeroport i është kthyer normalitetit dhe qytetarët/udhëtarë kanë vazhduar udhëtimet e tyre.
Policia e Kosovës ka njoftuar se sot në orët e pasdites përmes zyrës së mediave të Aeroportit Ndërkombëtar “Adem Jashari” ka pranuar një informacion për kërcënim me mjete shpërthyese në aeroport. /Telegrafi/