Site icon Telegrafi

Alarmi i OKB-së: Shqipëria në vitin 2100 do të ketë vetëm gjysmën e banorëve aktualë (Foto)

Sipas OKB-së në vitin 2100 popullsia e Shqipërisë do të jetë rreth 1,750,000 banorë me një rënie prej 1.2 milionë personash nga popullsia aktuale (2.9 milionë).

Përveç rrudhjes në numër shihet një përkeqësim i ndjeshëm i lindshmërisë në popullsisë. Një ndër shkaqet e përkeqësimit shihet emigracioni, ku sipas të njëjtit burim që nga viti 1990 ka emigruar 20 për qind e popullsisë së vendit, shumica në Greqi dhe Itali.

Në Shqipëri, sipas shifrave të bëra publike edhe nga INSTAT, pjesa e popullsisë 65 vjeç e lart është rritur nga 5 në 11% ndërmjet viteve 1989 dhe 2011, për të arritur në 13% në 2016-n dhe 29% deri në 2060-n.

E krahasuar me shtetet e tjera në botë, vendi ynë nuk ndodhet ende në zonën e “rrezikut të lartë” nga plakja e popullsisë, por po shkon me shpejtësi drejt saj.

Si pasojë, përbërja e popullsisë së Shqipërisë ka ndryshuar në mënyrë rrënjësore midis periudhave të censuseve të vitit 1979 dhe 2011, duke ulur numrin e të rinjve dhe fëmijëve nën moshën 15 vjeç nga 37% në vetëm 21% të popullsisë. Kjo rënie do të jetë forca parësore e moshimit të popullsisë, një proces që ka filluar të ndihet në shoqërinë shqiptare.

Në vitin 2016 INSTAT konfirmoi se lindjet kishin pësuar rënien më të madhe vjetore. Kjo ishte rënia më e madhe e lindshmërisë, të paktën që nga viti 1990.

Demografët dhe psikologët konfirmojnë se rënia e lindjeve është ndikuar nga niveli i lartë i emigracionit dhe situata e vështirë ekonomike që po kalojnë çiftet e reja, transmeton tiranaobserver.

Mosangazhimi në tregun e punës i të rinjve është pengesa kryesore për fekondimin. Papunësia në Shqipëri aktualisht luhatet në nivelin 16%, por ndër të rinjtë, deri në 30 vjeç, është më shumë se 30%.

Exit mobile version