Shumë pjesë të botës po përjetojnë të nxehtin rekord të kësaj vere, me temperatura mbi 40 gradë celsius në vende ku 35 gradë ka qenë më e larta. Zjarret më të mëdha në pyje janë ato të Kalifornisë, pas zjarreve që shkrumbuan bregdetin e Greqisë.
Disa qytete aziatike kanë arritur gjithashtu temperaturat më të larta të regjistruara ndonjëherë. Një studim i ri paralajmëron se këto dhe shenja të tjera të ngrohjes globale do të bëhen më të shpeshta.
Zyrtarët në Kaliforni thonë se një zjarr që filloi një javë më parë është shndërruar në zjarrin më të madh në historinë e këtij shteti amerikan.
Studiuesit në Universitetin e Kalifornisë thonë se kushtet klimatike që mundësojnë këto zjarre të mëdha, po shfaqen më herët dhe zgjasin më shumë. Zyrtarët po paralajmërojnë banorët të përgatiten për më tej.
“Rrethanat që i kishim parë në kulmin e sezonit të zjarreve, tashmë shfaqen që në fillim të sezonit”, thotë Ken Pimlott, drejtor i zjarrfikësve të Kalifornisë.
Zjarret në pyje kanë përfshirë edhe Evropën. Zjarri më vdekjeprurës në historinë e Greqisë vrau mbi 90 persona muajin e kaluar. Zjarret kanë shpërthyer edhe në pyjet e vendeve veriore, si Suedia dhe Letonia.
I nxehti ekstrem po ndikon edhe bujqësinë. Fermerët po i mbledhin të korrat më herët se zakonisht dhe thatësira e zgjatur ka ulur sasinë dhe cilësinë e frutave dhe perimeve.
Në Zvicër, i nxehti po vret peshqit në lumin Rin. Ushtria zvicerane furnizoi me ujë fermat e kafshëve në rajonin Vaud.
“Shërbimet e ushtrisë ofrohen pa pagesë, pasi gjendemi në një situatë katastrofe”, thotë Denis Froidevaux, zyrtar lokal zviceran.
Një studim i ri thotë se nivelet e synuara në marrëveshjen klimatike të Parisit të vitit 2015, mund të mos mjaftojnë për të ndalur ngritjen e dëmshme të temperaturave.
Vendet patën rënë dakord të përpiqen për të mos lejuar ngritjen e temperaturave mesatare të botës mbi 2 gradë celsius nga niveli i regjistruar përpara revolucionit industrial.
Studimi më i fundit i bërë nga Universiteti Kombëtar Australian, Universiteti i Kopenhagenit dhe institucione të tjera, konkludon se edhe nëse vendet pjesëmarrëse i përmbahen marrëveshjes, proceset e shkrirjes së akujve polarë dhe çlirimi i metanit nga tabani i deteve mund të rrisin në të ardhmen temperaturën e Tokës me 4 – 5 gradë, duke i bërë kështu të pabanueshme shumë pjesë të globit.
Ndërkohë, valët e pazakonta të të nxehtit që po godasin Evropën dhe Azinë pritet që të bëhen më të zakonshme. /kp/Telegrafi/