Në ditët kur ka paralajmërime për bomba, nxënësit dhe mësuesit të vazhdojnë mësimin online. Ky është rekomandimi që MASH u ka dhënë shkollave pas thuajse paralajmërimeve të përditshme për bomba të vendosura në shkolla të ndryshme. Nga ministria nuk përgjigjen nëse do të vendoset që mësimi të mbahet online.
“Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka dhënë rekomandim që në ditët kur ka raportime kërcënuese në shkolla, pas evakuimit të mësuesve dhe nxënësve, të nisen në shtëpi nga ku do të bashkohen në mësimin online, për të arritur objektivat e mësimdhënies në kohën e duhur duke përvetësuar materialin e synuar. Besojmë se të gjitha palët e interesuara në procesin arsimor do ta pranojnë dhe do të veprojnë sipas këtij rekomandimi, sepse i njëjti synon të kënaqë interesat më të mira të studentëve”, thanë nga MASH.
Shtojnë se shumica e nxënësve dhe mësimdhënësve tashmë kanë eksperiencë në mësimin online, por sociologu Ali Pajaziti vlerëson se ky lloj mësimi është jopedagogjik dhe sipërfaqësor.
“Thuajse i pa realizueshëm, është vetëm fjalë boshe sepse ato mësime nuk realizohen defakto. Kurba e mësimnxënies labilizohet faktikisht çekuilibrohet dhe nuk kemi një konstancë të procesit të mësimdhënies dhe mësimnxënies kështu që edhe nxënësit gjenden në një status të transit dhe çakordimit”, deklaroi Ali Pajaziti – Sociolog.
Sipas Pajazitit është shumë destruktive, madje siç e quan ai po ndodh një “libanizim” i shoqërisë për shkak të përdorimit të termave militareske për shkak të paralajmërimeve për bomba. Kjo ndikon shumë negativisht tek fëmijët e sidomos ata më të vogël në moshë sepse ende pa i formuar konceptet bazike për jetën e tyre po përballen me terme negative përfundon Pajaziti.
Nga Ministria thonë se sipas informatave që ata kanë shumica e shkollave tashmë i kanë zëvendësuar orët që kanë humbur për shkak të evakuimeve. Ndryshe, edhe sot në disa shkolla nuk u mbajtën orët mësimor për shkak të paralajmërimeve për bomba.