Telegrafi

Alarmante në Shqipëri, 412 aksidente rrugore vetëm gjatë korrikut

Urgjenca kombëtare konstaton se ka më shumë të vdekur nga aksidentet rrugore sesa nga luftërat.

Në një analizë mbi gjendjen e aksidenteve gjatë muajit Korrik, ky institucion i ndihmës së shpejtë analizon me shqetësim se në rrugët e Shqipërisë kanë ndodhur 412 aksidente rrugore një bilanc ky alarmant.

“Krahasuar me muajt e kaluar numri i aksidenteve rrugore ishte shumë më i lartë në korrik ndërkohë që jemi ende në kulmin e sezonit turistik veror dhe fluksi i automjeteve është rritur ndjeshëm.

Ajo çka përbën shqetësim, serioz është fakti se fatkeqësisht është rritur numri i aksidenteve rrugore me dëmtime serioze apo humbje të jetës së pacientëve ndërkohë që numri i personave të mbetur invalid është dy herë me i lartë.

Sipas një klasifikimi mbi bazë qytetesh numrin më të lartë të aksidenteve gjatë korrikut e regjistron Tirana me 133 të tillë, më pas vjen Durrësi me 46 edhe pas tij Vlora, Shkodra dhe Saranda.

Gjatë fundjavës kurba e aksidenteve rritet në qytetet turistike ku edhe trafiku është më i rënduar e mesa pushuesit humbasin durimin për të respektuar rregullat e qarkullimit rrugor.

Telefonatat për ndihmë nga zonat turistike vijnë minutë pas minute në qendrën kombëtare të urgjencës. Dhënësit e ndihmës së shpejtë apelojnë për vëmendje më të shtuar gjatë muajit gusht pasi edhe fluksi i pushuesve rritet më shumë si nga brenda vendit ashtu edhe nga të ardhurit jashtë vendit”, thuhet në njoftimin e Urgjencës kombëtare. /rtsh/