Një bazë ajrore e NATO-s në qytetin gjerman të Geilenkirchen është në gjendje të lartë gatishmërie, tha një zëdhënës i organizatës, pasi niveli i sigurisë u ngrit gjatë natës “bazuar në informacionet e inteligjencës se ekziston një kërcënim”.
“Ne jemi ende në Charlie”, tha një zëdhënës i bazës për reuters, duke iu referuar gjendjes së dytë më të lartë nga katër sosh të gatishmërisë.
Niveli i sigurisë Charlie përkufizohet si “një incident ka ndodhur ose është marrë informacion se një formë e veprimit terrorist kundër organizatave ose personelit të NATO-s ka shumë të ngjarë se do të ndodh”.
Një zëdhënës tha se baza, e cila pret flotën e NATO-s të aeroplanëve vëzhgues AWACS, po operon me personel minimal si një masë paraprake, ndërsa operacionet vazhdojnë siç është planifikuar.
Ai shtoi se nuk kishte lidhje me incidentin e javës së kaluar, kur niveli i sigurisë në bazë u ngrit shkurtimisht ndërsa baza ushtarake në Koln aty pranë hetonte sabotimin e dyshuar të furnizimit me ujë.
Ushtria gjermane më vonë njoftoi se rezultatet e testimit treguan se uji i rubinetit nuk ishte i ndotur.
NATO ka paralajmëruar në të kaluarën për një fushatë të veprimtarisë armiqësore të organizuar nga Rusia, duke përfshirë sabotimin dhe sulmet kibernetike. /Telegrafi/