Telegrafi

Al Sadd kërkon para për shkëputjen e kontratës së Xavit

(Foto: Twitter/B/R Football)

Përpjekjet e Barcelonës për angazhimin e Xavi Hernandez në postin e trajnerit janë duke u bërë gjithnjë e më të komplikuara.

Blaugranët janë pa trajner afatgjatë prej se e shkarkuan Ronald Koemanin, ndërsa ish-mesfushori i tyre është favorit për ta marrë postin.

Mirëpo, klubi i tanishëm i spanjollit, Al Sadd, është duke ngulur këmbë në bisedime dhe kërkon para në shkëmbim të shfuqizimit të kontratës.

Edhe pse pritej që gjërat të përfundonin shpejt, klubi nga Katari është duke ua vështirësuar jetën katalunasve.

Lexo po ashtu Konfirmimi i Xavit te Barca pritet të ndodhë të premten

Pas takimeve ndërmjet përfaqësuesve të të dyja klubeve, duket se Barca do të detyrohet të paguajë së paku një pjesë nga klauzola e shkëputjes së kontratës, nëse jo të tërën.

Xavi ka biseduar vet me pronarin e Al Sadd, ndërsa shumë kompensuese thuhet të jetë rreth pesë milionë euro.

Gjatë ditës së nesërme (e premte) do të mbahet një takim i ri, kur pritet të arrihet marrëveshja definitive dhe klubi spanjoll do të mund ta konfirmojë Xavin si trajner. /Telegrafi/