Një ndër mediat më të mëdha në botë Al Jazeera, ka shkruar për komunitetin rom në Kosovë dhe për “padrejtësitë që u janë bërë atyre”, të paktën nga lufta e fundit e tutje.
“Vite pas luftërave në Jugosllave, romët ende presin drejtësinë për familjet e të zhdukurve dhe të humburve nga ‘hakmarrja’ e të tjerëve”, shkruan Al Jazeera, njofton Klan Kosova.
Në shkrim është edhe intervista e një pjesëtari të këtij komuniteti, i cili tregon se si para 17 vjetëve ishte kidnapuar në Prishtinë vëllai i tij dhe kushëriri.
Ky shkrim i Al Jazeeras për vrasjen dhe zhdukjen e romëve pas luftës në Kosovë hedh faj mbi “pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”.
“Përkundër prezencës së NATO-s në Kosovë, anëtarë të UÇK-së dhe grupeve të tjera kryen një seri sulmesh hakmarrjeje në komunitetin e romëve, të cilët dyshoheshin se i kishin mbajtur anën Serbisë”.
Në vitin 2001, shkruan Al Jazeera, Human Rights Watch raportonte se rreth 1000 serbë dhe romë janë të zhdukur që nga fundi i konfliktit në Kosovë.
“Dëshmitarët implikojnë UÇK-në në sulmet hakmarrëse. Një raport përfshinë edhe një incident ku trupat gjermane të NATO-s kishin zbuluar se 25 anëtarë të UÇK-së kishin rrahur dhe burgosur 15 romë të moshuar”.
Shkrimi i gazetarit Morgan Meaker flet po ashtu edhe për tribunalin special që po përgatitet për të hetuar krimet e mundshme nga shqiptarët në luftën e fundit në Kosovë dhe po ashtu shkruan se qeveria është e mbushur me ish-komandantë ndaj kjo gjykatë Speciale kundërshtohet shumë nga banorët e Kosovës.