I akuzuari Xhelal Ramadani, i cili po akuzohet për vrasjen e fqinjit të tij Sh.L, tha se pasi e kishte parë të ndjerin duke e vënë dorën në brez, kishte marrë armën dhe kishte shtënë në ajër. Sipas tij, qëllimin e kishte pasur ta frikësonte të ndjerit por i njëjti kishte rënë për toke atë moment.
Një deklarim të tillë, Ramadani e bëri të martën në Gjykatën Themelore në Prishtinë, pas vazhdimin të mbrojtjes së tij i pyetur nga mbrojtësja e tij avokate Marigona Lajqi.
“U largu prej meje dhe e pash duke e fut dorën në brez dhe unë duke u mundu me shkrep në ajër me frikësua përnjëherë vetëm kur e kam pa që ka ra në tokë”, deklaroi i akuzuari Ramadani.
I akuzuari Ramadani tha që pasi kishte rënë në tokë i ndjeri, i ishte afruar dhe kishte parë që edhe ai kishte pasur armë, ku aty i njëjti kishte menduar t’i ofronte ndihmë.
“ U afrova e pash që edhe ai kishte pasur armë, pastaj u afrova u mundova me i ndihmu pak po u tuta me prek mos i ka kup zemra, tu u kthy më ka shkrep arma nuk besoj që ka qenë në drejtim të Shpejtimit, nuk e di, nuk e di a e kam goditur”, deklaroi i akuzuari Ramadani, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Paraprakisht në këtë seancë duke u përgjigjur pyetjeve të mbrojtëses së tij, avokates Lajqi i akuzuari Ramadani deklaroi se armën e kishte marr me vete për shkak se dëshironte të shkonte në mal dhe kishte frikë prej kafshëve të egra.
I njëjti tha pasi që vendosi të mos shkonte në mal, duke u kthyer në shtëpi ishte takuar me të ndjerin, por në atë moment i njëjti kishte filluar ta shante, ku i akuzuari Ramadani i kishte kërkuar që të mos e shante por i ndjeri kishte filluar ta sulmonte.
“Nuk u bo kurgjo për fëmijë kadal mos shaj dhe ai nuk tha asgjë dhe mi kërsiti dy shuplaka fytyrës deshi me m’ra boks unë i ngrita duart dhe ja mbrojta boksin, qaty u inatos ma tepër dhe ma ngjiti për fyti me duar më furri për disa minuta derisa filluan me më lëshuar këmbët”, deklaroi i akuzuari Ramadani.
Ai gjatë deklarimit të tij tha se duke u përleshur me të ndjerin, i njëjti e kishte goditur në bark dhe më pas tash më i ndjeri ishte inatosur edhe më shumë dhe i kishte thënë që do t’i vriste të gjithë.
Më pas gjatë pyetjeve të avokates Lajqi i akuzuari Ramadani tha se para ngjarjes kishin pasur raporte të mira, dhe që qëllimi i tij nuk kishte qenë që ta vrasë tani më të ndjerin dhe se nuk kishte qenë qëllimi i tij hakmarrja për problemin me fëmijë.
I njëjti deklaroi që kishin kërkuar falje te familja e të ndjerit, dhe që ishte penduar për këtë që kishte bërë.
“Unë jam penduar për këtë që kam bërë nuk kam dashur me bo, unë shprehi ngushëllime dhe kërkoj falje para gjykatës dhe palës së dëmtuar. Unë me qëllim se kisha bërë kurrë por ka ndodhur aksidentalisht”, deklaroi i akuzuari Ramadani.
Tutje gjatë pyetjeve të prokurores, Bukurije Gjonbalaj i akuzuari Ramadani tha që viktimën e kishte pasur fqinjë, dhe se tri orë përpara ngjarjes kritike kishin pasur problem me të.
I akuzuari tutje tha që nuk ia kishte parë armën e të ndjerit deri momentin kur i njëjti kishte rënë për toke dhe i njëjti shtoi që nëse i ndjeri nuk e kishte afruar dorën te brezi ai nuk do të kishte shkrepur.
Kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Kushtrim Shyti i dha vërejtje me shkrim avokates Lajqi me arsyetimin që e njëjta ndërhynte pa leje.
“I tërhiqet vërejtja, avokates Marigona Lajqi për shkak se e njëjta ndërhynë pa ju dhënë fjala nga ana e kryetarit të trupit gjykues dhe e njëjta pëshpërit nga vendi ku është ulur, shtoi gjykatësi Shyti.
Gjatë pyetjeve nga mbrojtësi i palës së dëmtuar, avokati Valon Sadiku i akuzuari Ramadani tha se nuk i kujtohej shumë mirë data e saktë e vrasjes dhe i njëjti shtoi që nuk kishte pasur presion nga i ndjeri.
Tutje ai tha se ishte e vërtet që një javë para ditës kritike djali i të ndjerit ia kishte ngrehur flokët vajzës së tij.
Më pas në pyetjet e anëtares së trupit gjykues, gjykatëses Fatime Dermaku, i akuzuari Ramadani tha se kishte dashur të dilte në mal për shëtitje pasi kishe menduar që e kishin përfunduar mosmarrëveshjet me të ndjerin.
Tutje ai deklaroi se armën e kishte gjetur dhe e kishte mbajtur për ndonjë aheng dhe nuk e kishte dorëzuar në polici për shkak se kishte menduar që për armën të marr edhe leje, por i njëjti nuk kishte pasur mundësi ekonomike që të bëj aplikimin.
I pyetur nga anëtari i trupit gjykues, gjykatësi Naser Foniqi i akuzuari Ramadani deklaroi që i kishte treguar bashkëshortes që po dilte por nuk i kishte treguar të njëjtës se ku po shkonte.
I njëjti tha se i ndjeri i kishte thënë që do t’ia rrihte fëmijët por sipas tij, ai asnjëherë nuk e kishte bërë një gjë të tillë.
I akuzuari Ramadani shtoi që kishte pasur shenja në fyt por në polici nuk kishte treguar, por ai shtoi që këtë fakt e kishte përmendur në prokurori dhe po ashtu shtoi se përveç probleme me fëmijë nuk kishin pasur probleme tjera me të ndjerin.
Seanca e radhës pritet të mbahet më 17 gusht 2022.
Ndryshe, sipas aktakuzës së ngritur më 11 tetor 2021 nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, i akuzuari Xhelal Ramadani, në Gadime të Ulët, Komuna e Lipjanit, më 16 korrik 2021, për shkak të mosmarrëveshjes që kishte pasur një javë më parë rreth fëmijëve dhe përleshjes fizike në ditën kritike, me dashje që ta privojë nga jeta dhe për shkak të hakmarrjes, kishte shkuar në shtëpinë e tij dhe e kishte marrë armën e tipit “Ecol Special 99” dhe kishte shtënë dy herë në drejtim të tani të ndjerin Sh.L, duke e goditur në kokë, ku si pasojë e plagëve të marra, i njëjti kishte ndërruar jetë në vendin e ngjarjes.
Me këto veprime, Ramadani po akuzohet se ka kryer veprat penale “Vrasje e rëndë”, dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll, ose posedim të paautorizuar të armëve”.