Sot në Gjykatën Penale ka vazhduar gjykimi për ngjarjet e përgjakshme të 27 prillit të vitit të kaluar në Kuvendin e Maqedonisë.
Para trupit gjykues sot dëshmoi i akuzuari Stefan Mlladenovski, i cili tha se ish-i punësuari në DSK Nikolla Boshkovski dhe Goran Grujevski të cilët gjenden në Greqi, kanë qenë drejtpërdrejtë të përfshirë në organizimin e sulmit në Kuvend, përcjell Telegrafi Maqedoni.
Mlladenovski dëshmoi për lidhja mes DSK-së dhe pjesëmarrësve në protesta ka qenë përmes Aleksandar Vasilevskit – Ninxha, i cili gjithashtu është i akuzuar për të “enjten e përgjakshme”.
“Pasi u paraqit ‘Platforma e Tiranës’, filluan protestat ‘Për Maqedoni të përbashkët’. Kam marrë pjesë disa herë së bashku me vëllain tim dhe ekipën e Ninxhës, me të ciltë jemi takuar tek ‘Paloma Bjanka’. Me protestat nuk kam shumë njohuri, por e di se ka pasur ndihmë logjistike nga gjithë organet e OBRM-PDUKM-së. Në protesta është ditur se kur do të jetë dita që LSDM ta formojë qeverinë dhe të zgjedh kryetarin e Kuvendit, duhet të futemi në sallë”, tha Mlladenovski.
Ai gjatë dëshmisë së tij, foli edhe për ditën e 27 prillit të vitit të kaluar kur edhe ndodhën ngjarjet e përgjakshme.
“Më 27 prill rreth orës 13:00, vëllait tim ju paraqit Kolo, i cili na tha që të shkojmë në ‘Dion’ për drekë. Kemi arritur atje rreth orës 14:00, ishte i pranishëm edhe Ninxha me ekipën e tij prej 15-20 personave. Kur arritëm atje, Ninxha na njoftoi se sot është dita. E dëgjova duke i thënë Kolos se ‘është më mirë të vendosim maska’, pasi ishin të ulur prapa meje. Rreth orës 15:30 ka arritur edhe një grup tjetër. Rreth orës 18:00 arritën edhe pjesëtarë të shoqatës ‘Çernozemki’, të cilët nuk i njoh, ndërsa e njoh vetëm Igor Jug pasi jam shoqëruar me djalin e tij”, tha mes tjerash i akuzuari.
Ai gjithashtu theksoi se njëri nga protestuesit Dejan Dimovski i punësuar në DSK, ju ka thënë se nuk duhet të brengosen pasi i ka shkatërruar kamerat. Mlladenovski tha se kanë pasur informacione se rreth orës 22:00 presidenti Gjorge Ivanov do të ketë konferencë dhe do të shpallë gjendje lufte dhe se do të vendosen pika pagesore ushtarake në Grupçin./Telegrafi/