Në seancën e së hënës në Gjykatën Themelore në Prishtinë, i akuzuari Ahmet Rrahmani gjatë dhënies së mbrojtjes tha se së bashku me familjen e tij të gjerë kanë mbi 10 milionë euro pasuri.
“Familja e gjerë i kemi mbi 10 milionë euro pasuri, toka të paluajtshme, banesa dhe shtëpi”, tha Rrahmanaj.
Në këtë rast, po akuzohen për korrupsion për shkak të shpronësimeve dhe shpalljes së ‘Zonës ekonomike” të Malishevës ish-kryetari i Malishevës, Ragip Begaj bashkë me ish-ministrin Bajram Hasani e zëvendësministrin Faton Thaqi. Pjesë e aktakuzës për korrupsion janë edhe Hajdin Berisha, Bashkim Krasniqi, Malë Krasniqi.
Ndërsa, Rrahmanaj, akuzohet për veprën penale “Shpëlarje parave”, kurse Nazmi Kafexholli akuzohet edhe për veprën penale “Mashtrim”.
I akuzuari Rrahmanaj tha se ka kontribuar për Kosovën, për “Fondin 3 %”, ka ndërtuar shkollë mbi 100 mijë euro, si dhe nuk i është shmangur taksave të shtetit. Po ashtu, tha se ka paguar mbi 300 mijë euro taksë në doganë e mbi 500 mijë në TVSH.
Andaj, Rrahmanaj tha se nuk ka pasur asnjëherë nevojë të bëjë shpëlarje të parave.
“Dhe me këtë e dëshmoj që s’kam pas nevojë të pastrojë para dhe janë para që kanë adresë, këtë”, tha Rrahmanaj.
I akuzuari tha se ishte i njoftuar me shkresë nga Agjencia Kosovare e Mirëbesimit (AKM) tani Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP), pas privatizimit të ndërmarrjes “Newco Mirusha”, pronat e të cilës akuzohet se i ka privatizuar, se të ardhurat ishin me dokumentacion të rregullt.
Rrahmanaj tha se shitblerja e pronave të tij është bërë me marrëveshje dhe se pagesat janë bërë në xhirollogarinë e tij.
“Shitblerja ka ndodhur me marrëveshje, të gjitha pagesat janë bërë në xhirollogarinë time, edhe kontratat e të gjithë atyre njerëzve ju kanë fuqizuar me rastin e nënshkrimit të kontratës me AKP-në“, tha Rrahmanaj, raporton betimiperdrejtesi.
Sipas tij, kontrata e lidhur me tani të ndjerin M.H., pas marrëveshjes së privatizimit në vitin 2007, për dallim nga kontratat e tjera, kishte qenë e përpiluar dhe vërtetuar në prezencë të avokatit.
Po ashtu i akuzuari shtoi se po të e dinte se do të ndërtohej autostradë në tokat e tij, nuk do t’i kishte shitur ato prona.
“Së pari, si do ta dija se do të kalojë autostrada nëpër pronat e mia nuk do t’i kisha shitur, sepse do t’i ruaja dhe do zgjidhja problemin”, tha ai.
Ndryshe, sot ishte e paraparë që të jepet edhe fjala përfundimtare nga palët në procedurë, por kryetari i trupit gjykues Vesel Ismaili tha se prokurori i rastit Naim Abazi, nuk e kishte përgatitur atë për shkak të angazhimeve të tjera që i kishte.
Sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Speciale më 1 korrik 2021, Ragip Begaj, Hajdin Berisha, Bashkim Krasniqi, Malë Krasniqi, Bajram Hasani, Nazmi Kafexholli dhe Faton Thaqi, akuzohen se kanë kryer veprën penale të “Keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar”. Ahmet Rrahmanaj, akuzohet për veprën penale “Shpëlarje e parave”, ndërsa Nazmi Kafexholli akuzohet edhe për veprën penale “Mashtrim”.
Ata po ngarkohen se duke keqpërdorur pozitën apo autoritetin e tyre zyrtar, kanë krijuar Zonën Ekonomike në Malishevë, në zonat kadastrale Banjë, Bellanicë dhe Senik me qëllim të shpronësimit të tokave të blera me çmim të ulët, me një çmim shumë më të lartë.