Telegrafi

Akuzojnë Berlusconin se po i blen votat

Akuzat lindën pas shpërndarjes me postë të disa letrave në rajonet përcaktuese të fituesit të zgjedhjeve, ku u premtohej heqja e taksës së banesës nga ana e partisë së Berlusconit, PDL.

Vetë ish-kryeministri italian ka nisur të kundërshtojë së fundmi taksën e banesës të vendosur nga qeveria Monit. Kjo taksë mbledh 0.4 për qind të kostos së banesës dhe nga Berlusconi konsiderohet e pandershme që rrit barrën ndaj ndërtuesve dhe shkel “shenjtërinë e shtëpisë”, transmeton TCH.

Ndërkohë, ish-prokurori i antimafias, që aktualisht drejton radikalët e majtë, Antonio Ingroia deklaroi se me letrën dërguar italianëve ku premton para në këmbim të votës, Berlusconi ka kryer krim ndaj duhet të vihet para drejtësisë.

Sipas kopjeve të siguruara nga mediat italiane, letra u paraqitet italianëve në formë zyrtare. “Njoftim i rëndësishëm; rimbursim i IMU2012 (taksa e banesës). Rimbursimi do të kryhet ose nëpërmjet llogarisë suaj bankare, ose do t’ju dorëzohet ju personalisht nëpërmjet shërbimit postar”, thuhet në letrën e shpërndarë nga PDL.

Letra është shpërndarë në rajonin e Sicilisë, Venetos, Kampanias dhe Lombardisë rajonet kyçe që përcaktojnë fituesin e zgjedhjeve. /Telegrafi/