Site icon Telegrafi

Akuzohet se kreu marrëdhënie seksuale me mbesën e tij, Gjykata e Durrësit e vendos në arrest me burg 50-vjeçarit

Gjykata e Durrësit ka vendosur “arrest në burg” për 50-vjeccarin Festim H. i cili u arrestua 3 ditë më parë për kryerjen e marrëdhënieve seksuale me mbesën e tij.

Ngjarja ka shokuar prej disa ditësh opinionin publik, ndërsa të premten i akuzuari është përballur për herë të parë me gjykatën e cila ka vleftësuar arrestimin e tij nga policia dhe ka caktuar si masë shtrënguese “arrest në burg” deri në përfundim të hetimeve.

Festim H. nuk i ka pranuar në asnjë rast akuzat që ngrihen ndaj tij, ndërsa në seancë avokati mbrojtës i 50-vjeçarit ka kërkuar zëvendësim të masës së sigurimit personal me një më të butë dhe për shkak të gjendjes shëndetësore të klientit.

Sipas tij, i arrestuari ka pësuar një trombozë dhe ka pasur një ndërhyrje kirurgjikale në Angli dhe gjatë kësaj kohe të qëndrimit jashtë ishte shpallur në kërkim.

Gjyqtari i seancës Paulin Çera nuk e ka pranuar kërkesën e mbrojtjes dhe ka lënë në fuqi kërkesën e akuzës. Festim H.  është kapur menjëherë pas kthimit në Shqipëri.

Policia e kishte shpallur në kërkim për veprën penale “Marrëdhënie seksuale ose homoseksuale me persona në gjini ose kujdestari”. Arrestimi u bë mbi bazën e denoncimit dhe dyshimeve se ai ka kryer marrëdhënie seksuale me mbesën e tij 27-vjeçare, vajzën e të vëllait.

Në njoftimin e saj, policia vendore theksonte se i arrestuari dyshohet se ka kryer marrëdhënie kundër dëshirës së mbesës. Kjo rrethanë e rëndon më tej pozitën e 50-vjeçarit nëse provohet se e ka kryer këtë vepër penale që parashikon një dënim deri në shtatë vjet burgim. Hetimet po vijojnë për të zbardhur plotësisht këtë ngjarje të rëndë dhe pretendimet e palëve.

Për mbrojtjen e Festim H. nuk ekziston një fakt penal që të mbështesë akuzën dhe mbajtjen e tij në paraburgim. I arrestuari është i divorcuar dhe me fëmijë. Ai njihej si person pa probleme me ligjin deri në momentin kur është denoncuar për kryerje të marrëdhënieve seksuale me mbesën e tij. /Top Channel/

Exit mobile version