Në Gjykatën e Durrësit u mbajt sot seanca e radhës ndaj fëmijëve që akuzohen se vranë babanë e tyre, Pëllumb Metën, në ShënVlash.
Sipas A2 CNN, për shkak të mungesës në gjyq të Hysen dhe Hygerta Metës, dy fëmijëve të tjerë të viktimës, të tre të arrestuar për krimin, gjykata ka shtyrë procesin duke kërkuar praninë e tyre fizike, të detyruar në seancë, për të dhënë deklarimet e para.
Në dhjetor, Prokuroria e Durrësit përfundoi hetimet dhe çoi për gjykim pesë persona të akuzuar për përfshirjen e tyre në këtë krim të rëndë, mes të cilëve janë tre fëmijët e viktimës, nëna e tyre, dhe një person tjetër që ka ndihmuar në fshehjen e provave.
Akuza për vrasje në bashkëpunim rëndon mbi vëlla e motër Hysen dhe Hygerta Meta.
Hysen Meta, një nga të akuzuarit kryesorë, përballet me akuzat për “Vrasje për shkak të marrëdhënieve familjare”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, dhe “Fshehja dhe asgjësimi i kufomës”, e kryer në bashkëpunim.
Hygerta Meta, e cila ka marrë përsipër krimin, akuzohet gjithashtu për vrasje për shkak të marrëdhënieve familjare, si dhe fshehje e asgjësim të kufomës. Ndërkaq vëllai i tyre Amarildo Meta, akuzohet për “Fshehjen dhe asgjësimin e kufomës”, të kryer në bashkëpunim, bazuar në nenin 303 të Kodit Penal.
Ndërkohë, Blerina Meta, bashkëshortja e viktimës, akuzohet për “Veprime që pengojnë zbulimin e të vërtetës”, në bazë të nenit 301 të Kodit Penal.
Në këtë çështje është përfshirë edhe Sajmon Bajramaj, pronari i automjetit të përdorur nga të pandehurit për fshehjen e provave. Ai akuzohet për “Mos kallëzim krimi”, pasi dyshohet se ka ndihmuar në largimin e makinës së viktimës në zonën e Sektor Rinia.
Sipas prokurorisë, motivet e krimit lidhen me konflikte të thella brenda familjes. Pas vrasjes, të pandehurit dyshohet se kanë bashkëpunuar për fshehjen e trupit dhe provave. Ngjarja ka tronditur opinionin publik për shkak të natyrës së saj tragjike dhe përfshirjes së gjithë familjes në këtë akt kriminal.