U akuzua se kishte përvetësuar në mënyrë të paligjshme 260 mijë dollarë të nipit të vrarë, por gjykata e shpalli të pafajshëm.
Adem Çaushi, gjyshi i Elton Deliut, i ekzekutuar së bashku me nënën e tij pranë apartamentit ku banonin në dhjetor të viti 2008, u akuzua nga Prokuroria e Tiranës për pastrim të produkteve të veprës penale.
Sipas prokurorisë, pas vrasjes së Deliut, gjyshi i tij tërhoqi nga llogaria bankare 260 mijë dollarë, shumë e cila sipas organit të akuzës dhe me vendim gjykate i takonte vajzës së viktimës, të cilës togat e zeza i njohën atësinë pas vrasjes dhe për të cilën familjarët e Eltonit patën kundërshtimet e tyre.
Por, Gjykata e Tiranës vlerësoi se marrja e shumës së konsiderueshme dhe zhdukja e saj nuk është pastrim i produkteve të veprës penale, por pengim i zbatimit të vendimit të gjykatës, që ia kishte njohur vajzës së Elton Deliut shumën në llogarinë bankare.
Dhe duke qenë se pengimi i zbatimit të vendimit të gjykatës është një vepër që është amnistuar në janar të këtij viti, gjykata urdhëroi pushimin e gjykimit ndaj Adem Çaushit dhe lirimin e tij nga akuza. Ky vendim pritet të apelohet nga Prokuroria e Tiranës, e cila i kërkoi gjykatës dënimin e të moshuarit me 5 vite burgim. /Telegrafi/