Policia konfirmoi të premten arrestimin e Marklen Hakën, i shpallur në kërkim edhe me urdhër të SPAK-ut për vrasjen e mbetur në tentativë ndaj Durim Bamit.
Në kuadër të operacionit “Revanshi”, ai akuzohet për pjesëmarrje në grup kriminal dhe armëmbajtje pa leje.
“Një ndër personazhet më kryesore të botës së krimit u kap në Nikël të Krujës, me armë zjarri, e bashkë me të po shoqërohen edhe disa persona të tjerë,” reagoi ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha.
Operacioni për kapjen e të shumëkërkuarit u realizua nga njësia e Forcave Speciale RENEA, mbi bazën e informacioneve të siguruara nga Policia e Tiranës.
“Ky është momenti për të përgëzuar dhe shprehur respekt, për forcat e angazhuara në operacionin me shkallë të lartë rrezikshmërie,” shtoi ministri Hoxha përmes një postimi në rrjetet sociale.
Kush është Marklen Haka?
Marklen Haka është një nga anëtarët e bandës së Niklës, i përfshirë në disa ngjarje kriminale që 20 vjeç, i cili i ka mbijetuar i disa atentateve.
Në vitin 2019, kur kishte dy muaj i liruar nga burgu, në një atentat ndaj Hakës mbeti e vrarë halla e tij.
Ai u arrestua në vitin 2011, i dyshuar nga Prokuroria e Tiranës si autori i vrasjes së një biznesmeni në një nga baret tek ish-Blloku në kryeqytet. Ai e mohoi vrasjen dhe u la i lirë pas disa muajsh.
Në shtator 2018, Marklen Haka u arrestua bashkë me të atin e dy persona të tjerë, në një operacion të bujshëm gjatë të cilit forcat speciale rrethuan Niklën dhe disa fshatra të tjera të Krujës. Haka u dënua me 1 vit heqje lirie.
Në vitin 2022 ai ishte sërish shënjestër e një atentati, të cilit i mbijetoi me një plumb në nofull./RTSH