Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama ka reaguar pas akuzave se qytetarët duhet të paguajnë për të shikuar lojërat e kampionatit Evropian në Fan Zone në sheshin “Xhorxh Bush”.
Rama përmes një postimi në rrjetin social në Facebook ka shkruar se për të mundësuar përjetimin e lojërave të Kampionatit Evropian në Kryeqytet, Komuna e Prishtinës në përputhje me legjislacionin dhe rregulloret në fuqi dhe në interes të qytetarëve të kryeqytetit ka dhënë miratimin që kjo të bëhet në Fan Zone në sheshin “Xhorxh Bush”.
Ai ka konfirmuar se hyrja në Fan Zone ka qenë falas, sipas deklaratave zyrtare të organizatorit.
“Akuzat për një hyrje me pagesë janë të pasakta dhe paraqesin një përpjekje për dezinformim të qëllimshëm të opinionit publik, me synimin e qartë për të dëmtuar imazhin e strukturave përgjegjëse dhe gjithë institucionin publik, përfshirë mua.
Prandaj, apelojmë për një trajtim të përgjegjshëm të informacionit dhe kultivimin e një mjedisi të shëndoshë komunikimi, të bazuar në fakte dhe transparencë. Dezinformimi nuk është në interes të qytetarëve”, ka shkruar Rama.
Ndryshe, mbrëmjen e së hënës është arrestuar asamblisti i Komunës së Prishtinës nga radhët e LVV-së, Arianit Beqiri, njëherit ish-asistenti i kryeministrit Albin Kurti pasi siç tha ai nuk donte t’i paguante 20 euro për të parë ndeshjen në shesh. /Telegrafi/