Akullnajat gjermane po shkrihen edhe më shpejt sesa mendohej më parë, dhe për dhjetë vjet ato mund të mos ekzistojnë fare.
“Ditët e akullnajave në Bavari janë të numëruara, dhe kjo shumë më herët se sa ishte menduar”, tha Thorsten Glauber, ministri bavarez i mjedisit, duke theksuar se për dhjetë vjet ato mund të mos ekzistojnë fare.
Bavaria është pjesa e vetme e Gjermanisë ku ka akullnaja.
Shkencëtarët më parë parashikuan që akullnajat do të shkriheshin nga mesi i shekullit, por shkrirja është përshpejtuar në mënyrë dramatike në vitet e fundit, transmeton Telegrafi.
Alpet bavareze
Në Alpet bavareze, ka pesë akullnaja që ndodhen në zonat Zugspitze dhe Berchtesgaden. Ata kanë humbur sa dy të tretat e vëllimit të tyre në dekadën e kaluar.
“Akullnajat nuk janë vetëm një monument i historisë së Tokës në formën e borës dhe akullit, ato janë në të njëjtën kohë një termometër i gjendjes së klimës sonë”, tha Glauber.
Situata nuk është dramatike vetëm në Gjermani.
Një studim i botuar në revistën Nature javën e kaluar zbuloi se shkrirja e akullnajave e shkaktuar nga ngrohja e klimës janë përshpejtuar më tej në 20 vitet e fundit, duke shkaktuar rritjen e niveleve të detit, ndër të tjera.
Sipas një studimi, akullnajat në të gjithë planetin humbën mesatarisht 267 miliardë ton akull në vit nga 2000 në 2019, e cila është e mjaftueshme për ta mbajtur Zvicrën të zhytur nën gjashtë metra ujë çdo vit. /Telegrafi/