Ndonëse tani gjithçka e lidh me Prishtinën dhe rrugët e saj, Albulena Kryeziu vjen nga Gjakova, atje ku u frymëzua për profesionin e aktores.
Është rritur me teatrin dhe skena ka qenë vendi i preferuar për të. Prindërit e saj kanë punuar në teatër si aktorë amatorë. Edhe pse, i ati ishte tërhequr kohë më parë, nëna vazhdon të punojë edhe më tej në teatrin e Gjakovës. Kjo frymë e përcolli atë dhe pashmangshëm puna në teatër për të është e parefuzueshme.
Albulena aktualisht është një ndër aktoret më të angazhuara në Kosovë, si në film ashtu edhe në teatër. Dallimin në mes paraqitjes para publikut apo kamerës nuk e bën dot, por preferon të punojë me regjisore femra.
Derisa roli i saj i preferuar është zonja Makbeth te tragjedia e Shekspirit. Aktorja thotë se akoma nuk e di se çfarë roli nuk do ta pranonte asnjëherë, pavarësisht rrethanave dhe çmimit.
Ndërsa, sa u përket roleve eksplicite dhe me skena të nxehta, ajo e ka të qartë se kur do ta pranonte një të tillë. Megjithatë, aktorja nuk mohon se ka refuzuar të paraqitet në skena erotike.
Përderisa në skena të tilla nuk është paraqitur, puthje ka pasur. Ishte komentuar shumë për një të tillë në serialin “Stinë dashurie”. Megjithatë, ajo konsideron se shoqëria kosovare është mjaft mendjehapur vetëm se duhet pranuar një gjë të tillë.
Skena, filmi dhe teatri, thotë të jenë jetë për të, por megjithatë Lenën jo rrallë e kemi parë nëpër fotosesione e imazh të koleksioneve të disenjatorëve shqiptarë.
Lena aktualisht është pjesë e disa shfaqjeve në Teatrin Kombëtar të Kosovës, në Teatrin e Gjakovës e po ashtu e disa filmave që janë në realizim e sipër.
Nëse distancohemi nga të gjitha angazhimet dhe punët që bën, si është një ditë e aktores jashtë angazhimeve në aktrim. Kush janë personat më të rëndësishëm në jetën e saj dhe se a vazhdon të jetë ‘single’ apo ka diçka që nuk ka treguar mund të mësoni në storien e përgatitur nga Express i KTV-së.