Site icon Telegrafi

Aktorja shqiptare, Egzona Salihu largohet nga puna në Teatrin e Preshevës

Aktorja shqiptare, Egzona Salihu, bëhet e ditur se është larguar nga puna e saj në Teatrin e Preshevës.

Lajmin e ka njoftuar përmes një postimi të shpërndarë në Facebook, ku fajtor ka lënë drejtorin e Shtëpisë së Kulturës në Preshevë.

Salihu theksoi se që nga ardhja e drejtorit të ri në Shtëpinë e Kulturës është ballafaquar me shantazhime, maltretime dhe kërcënime për vendin e saj të punës.

Egzona Salihu (Foto: Facebook)

Mes tjerash, ajo shtoi se qëllimi ishte i qartë për ta, largimi nga puna, përkundër se paguhej për ndriçuese dhe jo si aktore.

Postimi i plotë i Salihut (pa ndërhyrje):

“Ata, ia dolën! Përkohësisht!

Ka kohë, qysh nga emrimi i drejtorit të ri në Shtëpinë e Kulturës në Preshevë, që jam ballafaquar me shantazhime, mobing, maltretime dhe kërcënime për vendin tim të punës.

Qëllimin e kishin të qartë. Të më largojnë nga puna. Mjetet nuk i zgjodhën, qoftë edhe duke keqpërdorur besimin kolegial e njerëzor.

Ata, ia dolën! Ditë më parë më kishin dërguar Vendimin për ndërprerjen e mardhënies të punës.

Edhe kësaj here zgjodhën rrugën që më së miri dijnë ta bëjnë – at të intrigave, duke i treguar kështu muskujt e një mashkulli autokrat në krye të një institucioni që nuk ja ka haberë kundrejtë një femre që kishte zgjedhur Preshevën për të jetuar e punuar në të.

Qoftë edhe si ndriçuese me diplomë aktoreje.

Po, po, saherë që ngjitesha në skenë në teatrin e Preshevës dhe luaja me gjithë zemër rolet që mu ndanin, në fakt paguhesha për ndriçuese dhe jo aktore.

Logjikshëm do duhej të isha mbrapa perdeve, por dëshira për të ushtruar profesionin tim me nderë e përkushtim hiqte para meje çdo perde e cila më ndante mua dhe qytetarin preshevarë që vinte për të parë ato pak organizime që ne, bashkë me kolegët tjerë i organizonim.

Si duket, siç ndodhë edhe në shumicën e rasteve kur institucioni udhëhiqet nga njerëz joprofesional, fokusi im që të mirrem me profesionin e jo politikën, dëshira ime për të mos heshtur po për të lëshuar zërin, e bindja ime që të bardhës i thuhet vetëm e bardhë, ishin pengesat kryesore për të vazhduar të ushtrojë profesionin tim.

Përkohësisht normal. Se nuk ka e nuk do të ketë drejtor që nga brendësia ime mund të më mar vullnetin e dëshirën për t’i kontribuar zhvillimit të kulturës në qytetin ku jetoj. As luftën për barazi e emancipim të femrës shqiptare. Fundja, pozitat e tyre janë të përkohshme. Ata shkojnë e vijnë. Ne do të mbesim e bashkë me ne do të mbesë edhe angazhimi jonë i përbashkët për drejtësi.

Vendimi për largimin tim nga puna nuk mund t’i ndalë dritat e juaja që ka kohë që kanë filluar të fikën e sjellja juaj autokrate nuk mund të ndalojë perden e cila shumë shpejtë do t’ju bjere për të ndarë përfundimisht të keqen tuaj nga e mira të cilën synojnë qytetarët.

Dritat e fikura sot do t’i ndriçojmë me flakadanin e barazisë e mirëtrajtimit nesër.

Beteja ka filluar!”. /Telegrafi/

Exit mobile version