Në rininë time të hershme, aktorja angleze Diana Rigg ((1938-2020) e ka dominuar filmin dhe seritë televizive. Në ato pak seri dhe filma që vinin te ne në atë kohë, i kam shikuar të gjitha. Madje, nga disa herë dhe sikur të kisha mundësi çdo ditë pa ia nda. Kam vazhduar t’i shikoj filmat e saj deri sot e do të vazhdoj edhe më tutje.
Diana Rigg ka qenë arsyeja që unë kam filluar ta dua filmin. Nuk ka patur krijesë me fytyrë dhe trup më të bukur se ajo. Zëri i saj ka qenë më i ëmbël se mjalti, kurse lëvizjet e trupit të saj kanë qenë magjike. Edhe sot e shoh veten të ngjitur për ekranin e televizorit dhe perden e kinemasë kur dilte pamja e saj. Kam qenë në gjendje të udhëtoja në këmbë me ditë të tëra vetëm që ta shihja të gjallë. Kjo dëshirë e imja do të plotësohej por pas shumë dekadave.
Para disa viteve e pashë me sytë e mi. Hyri në hollin e një hoteli ku isha me disa miq. Nuk ishte më ajo e ëndrrave të mia. Ishte plakë, kishte shtuar peshë, por çuditërisht ende ishte e bukur tej mase. Sapo hyri, u krijua një qetësi dhe të gjithë e shikonin sikur unë. Ende rrezatonte bukuri dhe autoritet. Ende e kishte fuqinë që t’i bënte burrat të heshtnin e vetëm të shikonin kurse gratë t’i plaste me xhelozi.
Kaloi afër meje, por më mungoi guximi dhe entuziazmi djaloshar që të ngrihesha në këmbë e ta përqafoja e t’i thosha se sa e rëndësishme ka qenë për mua. Por, ia ndjeva aromën e femrës së bukur dhe peshën e aktores së madhe. Dhe, kjo mjaftoi.
Diana Rigg ka ndërruar dje jetë në moshën 82-vjeçare. Ajo e ka plotësuar tërësisht arsyen e ardhjes në këtë botë.