Aktorja Robyn Bernard, e njohur më së shumti për rolin e saj në “General Hospital”, u gjet e vdekur në një fushë prapa një biznesi në San Jacinto, Kaliforni.
Ajo ndërroi jetë në moshën 64 vjeçare.
Policia zbuloi trupin e aktores të martën në mëngjes në një “fushë të hapur pas një biznesi” në San Jacinto, Kaliforni, sipas një njoftimi për shtyp të Zyrës së Sherifit të Qarkut Riverside.
Ajo u shpall e vdekur në orën 4:08 të mëngjesit me orën lokale.
Shkaku i vdekjes ende nuk është përcaktuar dhe rezultatet e toksikologjisë do të zgjasin disa javë.
Policia thotë se nuk po e trajton vdekjen si të dyshimtë.
Bernard njihet më shumë për rolin e saj shumëvjeçar në telenovelën “General Hospital”, e cila tregon për jetën e qytetarëve të qytetit imagjinar të Port Charles në veri të New Yorkut.
Robyn luajti personazhin e Terry Brock, vajzës së DL Brock, një prej keqbërësve kryesorë. Ajo u shfaq në 145 episode gjatë gjashtë viteve.
E ndjera luajti për herë të fundit në vitin 2002 në “Voices from High School”.
Pas kësaj, ajo u largua nga qendra e vëmendjes. /Telegrafi/