Ministria e Kulturës ka ndarë çmimet vjetore për vepër jetësore “Bekim Fehmiu” dhe për Veprimtari Kinematografike.
Fitues i çmimit vjetor për vepër jetësore është shpallur aktori Bislim Muçaj, ndërsa për atë të Kinematografisë, producenti Eshref Durmishi.
Kryetarja e Jurisë dhe aktorja Igballe Qena, në ceremoninë e dhënies së çmimeve, tha se Muçaj në vazhdimësi ka qenë tejet i përkushtuar në ngritjen e vlerave të artit skenik.
Ndërsa fituesi i çmimit, Muçaj, duke falënderuar për vlerësimin që i është bërë, tha se do të jetë edhe më i përkushtuar në profesionin e tij.
Ministria e Kulturës ka ndarë edhe çmimin Vjetor për Veprimtari Kinematografike për vitin 2015, të cilin e ka fituar Eshref Durmishi për filmin “Shok”.
Çmimi për vepër jetësore shpërblehet nga ministria me 5 mijë euro, ndërsa çmimi vjetor për kinematografi shpërblehet me 2500 euro.