Karriera e tij artistike si aktor dhe regjisor po dëshmohet jo vetëm në filmat shqiptarë por edhe ne ata të huaj.
Valton Jakupi, pas sukseseve në projektet e tij artistike, është duke punuar për disa projekte filmike franceze. Aktori shqiptar nga Bujanoci, i cili jeton në Zvicër, është zgjedhur nga producenti francez Murphy François që të interpretojë në filmin “Le Sodat Perdu” (Ushtari i humbur).
Valton Jakupi në këtë film paraqitet në një ngjarje tragjike të një ushtari të humbur pas një lufte në një front. Ushtari humbet nga kolegët e tij, në një vend të huaj, shkruan albinfo.ch Duke mos ditur ku të strehohet, kërkon rrugëdalje dhe shpëtim në malet e vendit të panjohur. Por edhe pse i shpëton një beteje të përgjakshme, ai vritet pa qëllim nga një gjuetar i malit.
Bashkëpunimi i Valtonit me produksionin francez është realizuar përmes kompanisë së tij “International Film Europe Swiss” i cili edhe më herët kishte qenë në co-produksion me disa projekte të tyre.
“Aktualisht kemi të bëjmë me dy projekte filmike, por që shpresojmë të vazhdojmë me bashkëpunim deri në tetë projekte. Njëri është “Ushtari i humbur” ku tashmë kanë përfunduar xhirimet, ndërsa projekti tjetër është “Piktura e papërfunduar” në të cilin do të fillojmë xhirimet në shtator dhe do të jetë një film për pjesëmarrje në festivale evropiane”, thotë regjisori Jakupi për “albinfo.ch”.
Në filmin “Ushtari i humbur” Valton Jakupi tregon se ishte kërkesa e producentëve të filmit që ai ta marrë këtë rol, por me kusht që ta lëshojë mjekrën. Kjo për shkak të ngjashmërisë së tij me personazhin e imagjinuar të filmit. Në këtë film Valtoni do të jetë edhe në cilësinë e regjisorit të dytë.
Ndërsa për vazhdimin e bashkëpunimit në filmin “Piktura e papërfunduar”, ishte producentja e filmit nga Amerika Latine, Marie Silmei, që në këtë film do të jetë edhe në pozitën e drejtoreshës së fotografisë, e cila ka kërkuar që ta bëjmë edhe një film, me tematik për refugjatët, plotëson V. Jakupi në bisedë me albinfo.ch.
“Filmi Piktura e papërfunduar ka për tematike ngjarjet e refugjatëve, konkretisht bazohet në mos respektimin e të drejtave të fëmijëve refugjatë. Është një film kritik për shtet e fuqishme botërore që të bëjnë më shumë për mbrojtjen e fëmijëve nga rreziqet e paparashikuara”, shprehet Jakupi.
Në filmin “Piktura e papërfunduar”, Valton Jakupi do të jetë vetëm në cilësinë e regjisorit ndërsa siç bën më dije aty do të marrin pjesë edhe 3-4 aktorë shqiptarë.