– Bekim Fehmiu është produkt i gjenit, energjisë e talentit shqiptar dhe shkollës dhe shoqërisë serbe –
Bekim Fehmiu ishte një shqiptar patriot qe nuk u akomodua kurrë as në shoqërinë shqiptare, as në atë kosovare, e as në atë serbe.
Si patriot shqiptar, bir i familjes patriotike shqiptare ai u përpoq t’ishte një aktor shqiptar ta luante rolin e Skendërbeut, por kjo iu besua një aktori rus. Ai u përpoq të bëhej një aktor kosovar, të luante Hamletin në Prishtinë, por skena e Teatrit Krahinor të Kosovës u tregua e vockël për të.
Bekim Fehmiu mbeti aktor i madh serb, aktori më i madh serb i të gjitha kohërave dhe një aktor i shquar botëror, i vetmi aktor nga bota komuniste që shpërtheu perdën e hekurt dhe bëri famë në Perëndim.
Bekimi ishte një argument i gjallë se sa të papajtueshme mes veti ishin shoqëria serbe e ajo kosovare dhe se larg botës ishin që të dyja.
Një gjen shqiptar dhe një shkollë serbe prodhuan një aktor botëror. Dhe Bekimi me amanetin e tij iu kthye i vdekur të gjithëve: Ceremonia mortore dhe kremimi – Serbisë, pluhuri i eshtrave të tij Lumëbardhit të Prizrenit (Kosovës e Shqipërisë), ndërsa filmat e tij ia la gjithë botës.
Bekim Fehmiu nuk u akomodua në shoqërinë kosovare sepse ai ishte produkt i klasit të parë të shkollës serbe dhe shoqërisë serbe. Bekimi nuk u akomodua në shoqërinë serbe sepse ajo në realitet nuk e gëlltiste dot faktin që një shqiptar ishte më i miri ndër ta. Prandaj Bekimi jetoi shndritshëm dhe tmerrshëm.
Vdekjen e aktorit të madh e kapitalizoi politika serbe, por jo edhe ajo kosovare e shqiptare. Presidenti serb Boris Tadiq tregoi se mund të përkulet para gjeniut shqiptar Bekim Fehmiu, por kryetari i Parlamenti të Kosovës tregoi se nuk mund të mbajë një minutë heshtje për aktorin e madh serb e botëror Bekim Fehmiu.