Aktori i njohur kosovar, Fisnik Ademi, nga tani i është futur edhe rrugës së politikës.
Bëhet e ditur se ai ka aderuar në Partinë Demokratike të Kosovës, ndërsa ka marrë edhe postin e kryetarit të njërës prej nëndegëve të kësaj partie.
Aktori do të jetë kryetar i nëndegës së PDK-së në lagjen “Arbëria” – lagje në të cilin ai jeton prej vitesh.
Aderimin e tij në këtë subjekt politik e ka bërë të ditur nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Uran Ismaili, përmes një fotografie të publikuar në InstaStory.
Edhe vet aktori bëri të ditur aderimin e tij përmes një statusi në rrjetin social Facebook.
“Sonte filloi një rrugëtim i ri. Faleminderit të gjithëve që më besuat dhe më zgjodhët të jem Kryetar i nëndegës Arbëria III, dega PDK, Prishtinë.
Na priftë e mbara në rrugëtimin tonë të përbashkët”, ka shkruar aktori Ademi.
I njëjti në qershor të vitit të kaluar ishte zgjedhur kryetar i Këshillit Drejtues të Teatrit Kombëtar të Kosovës. /Telegrafi/