Telegrafi

Aktiviteti i PSD-së para Qeverisë së Kosovës, Agjencia për Privatësi bën thirrje të mospublikohen të dhënat personale të qytetarëve

Partia Socialdemokrate (PSD) përmes një aktiviteti të saj para objektit të Qeverisë së Kosovës ka shpalosur listat me nënshkrimet e peticionit të vitit 2016 kundër Marrëveshjes për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe.

Ato lista sipas Agjencisë për Informim dhe Privatësi (AIP) përmbajnë kategori të të dhënave personale të qytetarëve.

“Agjencia për Informim dhe Privatësi është njoftuar nga lajmet e publikuara në mediume, të postuara apo ri postuara edhe në rrjete sociale, me pamjet e këtij aktiviteti, të cilat dukshëm shpërfaqin shpalosjen e dokumenteve të peticionit me të dhëna personale të qytetarëve”, thuhet në reagimin e AIP-it.

Lexo po ashtu PSD-ja shpalos 205 mijë nënshkrimet e peticionit të 2016-së kundër Asociacionit

“Agjencia për Informim dhe Privatësi u bën thirrje subjekteve mediatike/portaleve, ashtu si edhe qytetarëve që përdorin rrjetet sociale, të respektojnë kuadrin ligjor në fuqi në mbrojtjen e të dhënave personale, që gjatë transmetimit apo njoftimit me lajmin të mos publikojnë të dhënat personale të qytetarëve që gjenden në listat e shpërndara, duke aplikuar efektet e mjegullimit”, shton kjo agjenci. /Telegrafi/